Ish-ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka thënë se Kosova nuk duhet të lëshojë pe në dialog me Serbinë.
Në Deskun e KOHËS, ai ka thënë se i mbetet të ardhmes të shihet nëse SHBA-ja do ta ketë çelësin që përfundimisht do të sjellë kthesa pozitive në këtë proces.
“Roli ndërmjetësues lehtësues duhet t’i takojë BE-së, përkundër që nuk ka prodhuar rezultate dhe përkundër faktit që ndërmjetësuesit nuk janë dashamirëse për Kosovën, por SHBA ka bërë të ditur se do jenë më afër procesit të dialogimit, nuk do jenë palë formale por afër palës tonë. Ka emëruar emisar që nga pjesa e diplomatëve t’i risjellë në Ballkan, si ambasadori në Beograd dhe ai që do vijë në Prishtinë”.
Spahiu ka thënë se një takim i liderëve të të dyja vendeve nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt, e sipas tij, Kosova duhet të ketë qasje të re e më serioze karshi Serbisë.
“Ka një bllokadë edhe tani dhe nuk mund të pritet takim i liderëve të dy vendeve në një të ardhme të afërt, do të ketë shtyrje, ky proces është i pazëvendësueshëm, duhet të kemi durim, të mos bëjmë lëshime. Ne duhet të shohim një qasje serioze dhe të re në raport me Serbinë. Ajo proklamon se Kosova nuk po i përmbahet marrëveshjeve, ndërkohë që nuk e njeh të barabartë Kosovën në bisedime. Nisur nga kjo, është vështirë të paramendohet të kemi normalizim të marrëdhënieve të dy vendeve”.
Spahiu ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë premtim i nxituar i Kosovës. Ai e sheh të vështirë daljen nga asociacioni.
“Në aspektin e kompromiseve dhe lëshimeve para palës serbe, më problematike ka qenë asociacioni. Kemi bërë premtime të nxituara duke menduar që kjo do t’i mjaftojë Serbisë pa ditur çfarë në të vërtetë po ofron Serbia si kundërshpërblim”, ka thënë ish-ambasadori./Gazeta “Enigma”/