Kurti tregon katër sukseset e bordit të ri të AKP-së

Kurti tregon katër sukseset e bordit të ri të AKP-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë vizituar Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Pas takimit me udhëheqjen e AKP-së, shefi i ekzekutivit në një konferencë për media ka numëruar katër pika të cilat ka thënë se janë sukseset e bordit të ri të AKP-së.

Ai deklaroi se suksesi i parë është përgatitja e një strategjie përmbyllëse të AKP-së, ndërkaq si pikë të dytë përmendi identifikimin e aseteve që mund të transferohen në Fondin Sovran.

“Me 6 gusht të vitit të kaluar është emëruar bordi i ri dhe konstatojmë bashkërisht se kemi pasur disa të arritura dhe suksese shumë të vlefshme, por edhe interesin publik e interes shtetëror e ekonomik të Kosovës. Tash së fundmi Qeveria ka pranuar koncept-dokumentin për Fondin Sovran. Paralelisht bordi i AKP-së ka arritur t’i evidentojë 2,364 asete të AKP-së që pas një analize është vlerësuar se 1,653 prej tyre do t’i barten Fondit Sovran. 771 do të vazhdojnë të ngelen nën portofolin e AKP-së”, u shpreh Kurti në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci.

Suksesi i tretë i bordit të ri të AKP-së, sipas Kurtit, është shkurtimi i shpenzimeve, në vlerë prej mbi 2.6 milionë eurosh, ndërkaq në pikë të katërt ai përmendi aktivizimin e ndërmarrjes shoqërore “Brezovica” për të cilën tha se kanë filluar edhe me lëshimin e kuponëve fiskalë dhe sipas tij, se kështu do t’i hapet rruga investimeve për këtë qendër turistike me potencial të madh për vendin tonë.

Ndërsa Kryetari i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikollovci, falënderoi kryeministrin dhe ministrat që morën pjesë në këtë takim.

“Jemi marrë vesh për shumë çështje. Prej fillimit kemi pas përkrahje për punë dhe veprimet qe i kemi bërë. Tash ka ardhur koha për të filluar edhe puna themelore e jonë e cila është vazhdimi i privatizimit të këtyre pronave të cilat i kemi vlerësuar që nuk kanë potencial zhvillimor. Unë besoj që diku për tri vjet të përfundojë i gjithë aktiviteti i privatizimit i cili po zgjat qe afër 20 vjet”, përfundoi ai. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles