Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka treguar nëse do t’i takojë Kosovës të vendosë vet lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Hovenier ka thënë se Kosovës i takon e drejta se si do të veprojë lidhur me çështjen e Asociacionit.
Ai ka theksuar se SHBA-ja pret që, “Qeveria e Kosovës t’iu përmbahet zotimeve që i ka marrë”.
“Ka modele, të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovë që t’i shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje”, u shpreh Hovenier.
Po ashtu, ai bëri të ditur se angazhimi i SHBA-së lidhur me dialogun Kosovë-Serbi është intensiv dhe se në këtë proces, SHBA-ja nuk e sheh të diskutueshme çështjen e sovranitetit të Kosovës.
“Do të thosha që këto janë fakte historike. Kosova është shtet i pavarur. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është”.
Gjithashtu, ka thënë se pret angazhim nga Kosova dhe Serbia për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Uashington, në shtator të vitit 2020.
“Ka zotime për personat e zhdukur; ka zotime për kalimin e kufirit; ka zotime lidhur me tregtinë ndërkufitare. Ne besojmë se të gjitha këto do të ishin në dobi të Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë Hovenier.
Ndërsa, bëri të ditur se SHBA nuk sanksionon njerëzit për shkak të pikëpamjeve apo veprimtarive politike, por për shkak të lidhjeve të tyre me krimin e organizuar transnacional.
“Pra, mendoj se po i referoheni vendimeve të qeverisë amerikane për të vënë sanksione specifike ndaj individëve të caktuar, përfshirë vendimet e fundit për sanksionimin e individëve të caktuar për shkak të lidhjeve të tyre me krimin e organizuar transnacional”.
“Nuk i sanksionojmë njerëzit për shkak të pikëpamjeve politike. Nuk i sanksionojmë njerëzit për shkak të veprimtarisë politike”.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. /Gazeta Enigma/.