Pas tre muaj e gjysmë që nga koha kur është ndërprerë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, kryenegociatorët e të dyja palëve do të takohen nesër në Bruksel.
Bisedimet do të zhvillohen nga zv/kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Qeverinë e Serbisë në Kosovë, Petar Petkoviq.
Takimi i fundit në mes të dy përfaqësuesve ishte më 16 nëntor.
Një ditë para takimit, Petkoviq ka hedhur akuza në drejtim të Kosovës, duke thënë se “po mundohet ta çojë dialogun në absurd”.
“Kur nuk keni biseda të drejtpërdrejta keni incidente në terren. Ne do të insistojmë në formimin e Asociacionit i cili duhet të sigurojë të drejta kolektive për serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Petkoviq për RTS.
Ai e theksoi faktin se pala serbe po shkon në Bruksel edhe pse është në fushatë zgjedhore, duke hedhur kunja, si zakonisht, drejt kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“Edhe gjatë fushatës elektorale ne po shkojmë në Bruksel ndryshe nga Albin Kurti. Nuk e kemi atë problem sepse po e themi të vërtetën. Hapësirat për manovrim na janë ngushtuar, por duhet të luftojmë për një jetë më të mirë për qytetarët tanë”, tha Petkoviq.
Petkoviqin e ka çoroditur edhe takimi i Kurtit në Bruksel me shefin e diplomacisë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak, ku kryeministri theksoi se të dyja palët duhet të fokusohen në njohje reciproke.
“Kurtit nuk i beson më askush, edhe pse është fëmijë i mentorëve perëndimorë. Ai nuk pranoi t’i nënshkruajë tri dokumente për gjërat elementare. Është e rëndësishme të bisedohet, të zgjidhet çështja e të pagjeturve, por nuk është çështje politike siç dëshiron ta prezantojë Kurti, por në radhë të parë humanitare”, tha ai.