Lutfa e ashpër mes Rusëve dhe Ukrainasve ka vazhduar për të tetën ditë radhazi.
Rusët kanë vazhduar me agresionin ndaj Ukrainës duke i bombarduar qytetet e Ukrainës me raketa duke mos i kursyer as civilët, shkruan Gazeta Enigma.
Gazeta Enigma ua sjellë në pika të shkurta zhvillimet e fundit në 24 orët e fundit në Ukrainë:
Forcat ruse kanë marrë kontrollin e qytetit të Khersonit në jug të Ukrainës, qyteti i parë i madh që u pushtua nga rusët.
Kryebashkiaku i qytetit të Mariupolit tha se trupat ruse kanë ndërprerë energjinë elektrike, ushqimin, ujin dhe ngrohjen.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha presidentit francez, Emmanuel Macron, se Rusia do të demilitarizojë me sukses Ukrainën dhe paralajmëroi se çdo përpjekje e Kievit për të vonuar negociatat do të rezultonte në shtimin e kërkesave të Moskës, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Rusia përballet me një hetim për krime lufte, pasi ushtria e saj u akuzua për bombardimin e civilëve.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se një luftë e tretë botërore do të ishte bërthamore, por ai thotë se kjo nuk është diçka që rusët po mendojnë.
Kievi mbetet nën kontrollin e qeverisë, megjithëse ka pasur disa shpërthime të mëdha.
Shkon në 33 numri i të vdekurve nga sulmet ajrore në Chernihiv
Të paktën 33 persona janë vrarë në Chernihiv pasi forcat ruse filluan një numër sulmesh ajrore në qytetin ukrainas, sipas shërbimeve të urgjencës të Ukrainës.
Shtëpia Bardhë: Nuk është momenti për takimin Biden – Putin
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka bërë të ditur se nuk ka plane për një takim apo telefonatë midis presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, duke thënë se “Tani nuk është momenti”.
Banka me bazë në Kinë pezullon aktivitetet në Rusi dhe Bjellorusi
Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë (AIIB), me bazë në Kinë, ka pezulluar të gjitha aktivitetet që lidhen me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Negociatori ukrainas: Rundi i dytë i bisedimeve përfundoi pa ndonjë rezultat
Rundi i dytë i bisedimeve me Rusinë ka përfunduar, por nuk dha ndonjë rezultat që i nevojitej Ukrainës, ka thënë të enjten negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak.
Ukraina e Rusia pajtohen për armëpushim gjatë evakuimit të civilëve
Ukraina thotë se ka arritur ‘mirëkuptim të përbashkët’ me Rusinë për evakuimin e civilëve.
Pas bisedimeve të paqes midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas të enjten, të cilat zgjatën për rreth 4 orë, të dy palët kanë rënë dakord të ofrojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve.
Një zyrtar ukrainas ka thënë se marrëveshja përfshinte një armëpushim të mundshëm të përkohshëm gjatë evakuimeve, raporton Sky Neës.
Pala ukrainase ka thënë se nuk mori rezultatet që donte – pasi kishte hyrë në bisedime duke shpresuar për një armëpushim të plotë dhe tërheqje ruse – por kjo sipas saj mund të sinjalizojë një hap pozitiv.
Zyrtarët kanë rënë dakord të mbajnë një rund të tretë bisedimesh së shpejti.
Putin: Ukrainasit dhe rusët janë një popull, po luftojmë neo-nazistët
Putin thotë se rusët dhe ukrainasit janë ‘një popull’ ndërsa ai i lavdëron ushtarët rusë si ‘heronj të vërtetë’
Zelensky i drejtohet NATO-s: Nëse s’mund t’i mbyllni qiejt, më jepni aeroplanë
Zelensky ka kërkuar nga NATO-ja që t’i dërgojë aeroplanë ushtarak.
“Nëse nuk keni fuqinë për të mbyllur qiejt, atëherë më jepni aeroplanë”, ka thënë ai duke iu referuar zbatimit të zonës së ndaluar të fluturimit mbi Ukrainë.
Zelensky kërkon takim me Putinin: Unë nuk kafshoj, nga çka frikësohesh?
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të takohet me të, duke e hedhur propozimin me sarkazëm.
“Uluni me mua për të negociuar, jo në 30 metra”, ka thënë Zelensky të enjten, me sa duket duke iu referuar fotove të fundit të Putinit të ulur në një skaj të një tavoline jashtëzakonisht të gjatë kur u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron.
“Unë nuk kafshoj. Nga çka frikësohesh?”, ka thënë Zelenskyy në një konferencë shtypi të enjten.
Zelenskyy ka shtuar se ishte e arsyeshme të kishte bisedime.
“Çdo fjalë është më e rëndësishme se të shtënat”, është shprehur ai.