Në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, forcat ruse me urdhër te Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin hynë në Ukrainë duke sulmuar disa qytete ku objektivi kryesor i sulmit ishin qendrat ushtarake te Ukrainës.
Tash e nëntë ditë ukrainasit po vazhdojnë të përballen me agresionin rus, shkruan Gazeta Enigma.
Në mesin e shteteve të cilat vendosën sanksione ndaj Rusisë shkaku i sulmit në shtetin ukrainas, gjendet edhe shteti i Kosovës.
Sanksionet u janë vënë 571 individëve dhe 51 etniteteve.
LEXO EDHE: Kush janë individët dhe entitetet ruse që u sanksionuan nga Qeveria?
Që nga fillimi i kërcënimeve disamujore për pushtimin e Ukrainës, qeveria kosovare shprehi përkrahjen për shtetin ukrainas, ani pse kjo e fundit ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Deputetja e Parlamentit të Ukrainës, Lesia Vasylenko ka thënë se për momentin nuk është duke u menduar tema e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet.
Kjo pasi sipas saj nuk është momenti që të mendojnë për tema të tilla.
Ajo ka thënë se kjo çështje duhet të shqyrtohet pasi të ndalen sulmet ruse ndaj Ukrainës.
“Jo për momentin është një situatë e vështirë dhe një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur, sepse ne as që mendojmë në këto terma për momentin, sepse ne jemi të mobilizuar vetëm për të shpëtuar Ukrainën dhe popullin e Ukrainës me gjithë respektin e duhur për atë që po bëni për ukrainasit. Kjo është padyshim diçka për t’u kujdesur dhe shqyrtuar seriozisht pasi raketat ruse nuk na godasin më”, ka thënë ajo për T7, përcjell Gazeta Enigma.
Ekspertët kosovarë e cilësojnë problematike njohjen e Kosovës nga Ukraina
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se deklarimet e deritanishme për mbështetjen e shtetit të Ukrainës nga krerët institucional të Kosovës i sheh vetëm si përkrahje politik.
Kurse sa i përket çështjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Shala kishte theksuar për ‘Enigmën’ se “Pavarësia nga Ukraina do të jete problematike meqë në kontekst të pozitës së saj qëndron një pengës që quhet Krime”
Ndërkohë, të enjten në seancën e rregullt plenare, deputetët e Kuvendit të Kosovës shprehën sërisht mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Deputetët kosovarë thanë se “Qëndrojmë me Ukrainën”, ndërsa u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të civilëve të vrarë ukrainas në një javë pushtim.
Në Kuvend është paraparë të diskutohet dhe miratohet një rezolutë për t’i kërkuar pesëshes së vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë.
Gjithashtu në këtë seancë, pozitë e opozitë u bënë bashkë për ta dënuar agresionin rus në Ukrainë, ku me 94 vota për, asnjë kundër, miratuan rezolutën që dënon agresionin rus mbi popullin e Ukrainës.
Poashtu u shpreh kërkesa e Kuvendit ndaj qeverisë për gatishmërinë për strehimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të enjten se qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i pranojë 20 gazetarë ukrainas të cilët janë larguar nga vendi i tyre shkaku i agresionit rus.
Kurti ka thënë se do t’i përkrahin gazetarët ukrainas dhe do t’ua mundësojnë punën nga distanca.
“Qeveria jonë ka vendosur që të pranojë 20 gazetarë nga Ukraina në Kosovë. Ata janë detyruar që ta lënë atdheun e tyre nga invazioni rus. Në përkrahje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Gazetarëve ne do t’ua mundësojmë atyre të punojnë nga distanca”, ka shkruar Kurti./Gazeta Enigma/