Tash e 22 ditë ukrainasit po vazhdojnë të përballen me agresionin rus.
Pas zhvillimeve të fundit nga lufta e Rusisë në Ukrainë, Kosova doli hapur me përkrahjen e saj ndaj Ukrainws edhe pse kjo e fundit nuk na ka njohur si shtet, shkruan Gazeta Enigma.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, në një përgjigje për Gazetën Enigma në lidhje me këtë temë ka thënë se Kosova në raport me Ukrainën ka qenë parimore në vlerat evropiane.
“Qasja e Kosovës në raport me Ukrainën ka qenë parimore dhe bazuar në vlerat evropiane, kjo vlen qoftë për rezolutën e Kuvendit, vendimet e qeverisë apo qëndrimeve të opinionit publik dhe qytetarët në Kosovë”, ka thënë ai.
Tutje Hoxhaj ka deklaruar se “atje është gjendje lufte e cila po zgjatë dhe do të zgjasë me pasoja njerëzore dhe politike për Evropën”.
Hoxhaj ka theksuar se për Ukrainën ka qenë gabim që nuk e ka njohur Kosovën në të kaluarën.
“Është e parakohshme që tani të presim ndonjë vendim, por ka qenë gabim nga ana e Ukrainës që nuk ka marr vendim për njohjen e Kosovës shtet në të kaluarën”, ka deklaruar Hoxhaj për Enigmën.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për Gazetën Enigma ka deklaruar se Kosova të gjitha veprimet ndaj Ukrainës i ka marr si pjesë e aleancës me SHBA-në.
“Kosova në rastin e pozicionimit për luftën në Ukrainë ka marr të gjitha veprimet si pjesë e aleancës me në krye SHBA-në”, ka deklaruar ai.
Tutje Shala ka shtuar se Ukraina ishte në mbështetjen e Serbisë në arenën ndërkombëtare kundrejt Kosovës.
“Ndërsa në aspektin e veprimit për arritjen e marrdhënieve diplomatike, shihet që Ukraina zyrtarisht ka qëndruar nën moton “Sovraniteti i pa cenuar i një Shtetit”, pra ky qëndrim ishte në mbështetjen e Serbisë në arenën ndërkombëtare kundrejt Kosovës dhe rrugës së saj drejt anëtarsimit në OKB”, ka thënë Shala për Enigmën.
Shala apelon që Kosova të vazhdoj me përcjelljen e politikës Amerikane në këtë pikë.
“Kosova në këtë kohë assesi të mos vazhdojë me veprime tjera përpos vazhdimin e përcjelljes së politikës Amerikane në këtë pikë”, ka përfunduar Shala.
Lidhur me këtë çështje pak ditë më parë ka reaguar edhe njohësi i politikave në Ballkan, Janusz Bugajski.
“ Është koha që Ukraina të njohë Kosovën”
Janusz Bugajski, Anëtar i Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA) në Uashington, ka thënë se ka ardhur koha që Ukraina ta njoh shtetin e Kosovës.
Ai këtë e ka thënë duke i komentuar në rrjetin social “Twitter” ish-ambasadorit të Ukrainës në Austri, Olexander Scherba, pasi që ky i fundit ka shpërndarë një video të protestës së serbëve në Beograd, të cilit kishin dalë në masë të madhe në mbështetje të Rusisë dhe agresionit të saj në Ukrainë.
Scherba në videon e shpërndarë kishte shkruar se “Çfarë nuk shkon me ty Serbi?”, njohësi i politikave në Ballkan, Bugajski i ka shpjeguar ish ambasadorit ukrainas me pak fjalë.
“Fatkeqësisht, shumë serbë e mohuan gjenocidin e Beogradit ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve edhe në vitet 1990”.
“Është koha që Ukraina të njohë Kosovën”, i ka shkruar Bugajski.
Për njohjen e Kosovë si shtet nga Ukraina ka folur edhe deputetja e Parlamentit të Ukrainës, Lesia Vasylenko
Deputetja e Parlamentit të Ukrainës, Lesia Vasylenko, ka thënë se për momentin nuk është duke u menduar tema e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet.
Kjo pasi sipas saj nuk është momenti që të mendojnë për tema të tilla.
“Jo për momentin është një situatë e vështirë dhe një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur, sepse ne as që mendojmë në këto terma për momentin, sepse ne jemi të mobilizuar vetëm për të shpëtuar Ukrainën dhe popullin e Ukrainës me gjithë respektin e duhur për atë që po bëni për ukrainasit”, ka thënë ajo.
Tutje ajo shtuar se kjo çështje duhet të shqyrtohet pasi të ndalen sulmet ruse ndaj Ukrainës.
“Kjo është padyshim diçka për t’u kujdesur dhe shqyrtuar seriozisht pasi raketat ruse nuk na godasin më”, ka përfunduar ajo për T7, përcjell Gazeta Enigma.
Edhe kryeministri i Kosovës pak ditë më parë ka folur rreth kësaj çështje.
Pse Kosova po e mbështetë Ukrainën, një vend që nuk na ka njohur si shtet?
Kryeministri, Kurti e ka shpjeguar këtë përkrahje, duke thënë se kosovarët gjejnë ngjashmëri të shumta në situatën e sotshme të ukrainasve, me atë të para një çerek shekulli ku ndodhej Kosova.
“Tek lufta mbrojtëse dhe çlirimtare e popullit të Ukrainës, ne gjejmë shumë ngjashmëri me situatën tonë para një çerek shekulli, kur një fqinj shumë më i madh verior dëshiron të të okupojë, të të shtypë, të të shfrytëzojë, të të diskriminojë, të krijojë aparteid dhe gjithashtu provon edhe gjenocidin, i cili në Kosovë u nis, por u ndalua nga intervenimi i NATO-s, që të mos kishim shfarosje të shqiptarëve në vendin tonë”, ka thënë Kurti për AP-në, përcjell Gazeta Enigma.
Refugjatet ukrainase në Prishtinë: S’e pritëm një mikpritje të tillë nga vendi që shteti ynë s’e ka njohur
Maria Vitalievna Kydurko dhe Yulia Oleksandrivna Obodovskaya janë dy ukrainase, të cilat kanë ardhur si refugjate në Kosovë, pasi u larguan nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Ato iu falënderuan popullit, në veçanti Policisë së Kosovës, për mikpritjen dhe ndihmat që ua kanë ofruar që nga momenti kur ato arritën në kufi.
“Nuk kemi besuar se do të na priste një mikpritje e tillë nga populli e shteti që nuk i është njohur pavarësia e tij nga shteti ynë”, thanë ato.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i strehoj 20 gazetarë nga Ukraina, kurse Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe një rezolutë ku parashihet që t’i strehoj deri në 5 mijë refugjatë nga Ukraina./Gazeta Enigma/