Që nga 24 shkurti Ukraina po përballet me agresionin rus, e si pasoj e kësaj Ballkani po ballafaqohet me ngritje enorme të çmimeve në mesin e tyre edhe Kosova.
Mirëpo ajo çfarë ishte tejet shqetësuese ishte rritja e çmimit të vajit brenda ditës në një masë të jashtëzakonshme.
Si shkak i kësaj situate të krijuar, kryeministri i vendit, Albin Kurti ditë më parë vizitoi fabrikën “Floil” në Gjilan e cila është fabrika e vetme në Kosovës që merret me përpunimin e vajit të ushqimit.
Pronari i fabrikës së “Floil-it”, Berat Mustafa në një intervistë për Gazetën Enigma ka treguar se Kosova është në nivele konkurrues edhe me çmimet e regjionit dhe Bashkimit Evropian.
“Për shkak se jemi rafineri e niveleve regjionale edhe botërore jemi me çmime të njëjta pastaj tregtia çka ka bo nuk mundemi na si prodhim me derigju tregtinë sepse nuk kemi menaxhimet dhe nuk përzihemi në punë të tregtisë se çka bëjnë”, shpjegon Mustafa.
Sipas tij gjendja me vaj të ushqimit është duke u stabilizuar por ishin edhe mediat ato që ekzagjeruan situatën dhe u krijua panik tek qytetarët.
“Duhet ta kuptojnë se pak mediat dhe rrjetet sociale kanë ekzagjerua tej mase problemin e vajit dhe u krijua një panik në popullatë dhe kjo ndikoj, por tani është stabilizua gjendja me vaj, ka vaj, nuk janë kërkesat enorme e kështu me rrallë dhe është duke u stabilizua gjendja”, thotë pronari i Floilit.
Ukraina është vendi i parë që merret me prodhimin e farës së lulediellit pastaj vjen Rusia, shtete këto të cilat gjenden në luftë dhe tani është sezoni kur bëhet mbjellja e lulediellit, gjë e cila në këtë situatë është e pamundur dhe pas një kohe të shkurt edhe do të vërehet mungesa e lëndës së parë për prodhimin e vajit të ushqimit.
Për fat të mirë kompania e vetme vendore në industrinë e ushqimit “Floil”, lëndën e parë e merr nga shteti i cili renditet i katërti në prodhimin e vajit, kurse nga Ukraina ka importua në sasi më të vogla.
“Vajin ne e blejmë gjysmë të shtrydhur nga farat e lule diellit, këtë lëndë kryesisht 90% e marrin në Bullgari, sepse Bullgaria është vendi i katërt në botë me prodhimin e grut oilit, po një pjesë kryesisht e merr edhe nga Ukraina përmes Detit të Zi por pjesën më të madhe ne furnizimin e kemi nga Bullgaria”, nënvizon Mustafa në një intervistë për Gazetën Enigma.
Cila është zgjidhja që Kosova të mos ketë mungesë të vajit të ushqimit?
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë vizitës në fabrikën e vajit “Floil” ranë dakord me pronorin e fabrikës, Berat Mustafa për një marrëveshje e cila Kosova nuk do të ketë mungesë të vajit ushqimor.
“Shikuam mundësin dhe diskutuam me kompanitë bullgare mu mbjell fara e lulediellit në Kosovë, me u dërgua në Bullgari mu shtrydh dhe ne me marr lëndën e parë mbrapa dhe kjo është një mundësi shumë e mirë. Bullgarët për 3 mijë hektarë na kanë konfirmua që mundet me marrë lulediellin. Ne do të vazhdojmë me bullgarët, Qeverinë dhe me bujqit ku do të ishte një ndihmesë shumë e madhe lidhshmëria e punës bujku-prodhimi-tregtia dhe kështu që vlera e prodhimit na bënë pastaj edhe më të fortë”, ka thënë Mustafa.
Kurse më e mira e kësaj është që pronari i fabrikës konfirmoi për Gazetën Enigma se së shpejti fabrika e tij do ti fusë në Kosovë edhe vajrat e tjerë si rapsollin, vajin e misrit e disa të tjerë, gjë e cila do të shtonte edhe gamën e prodhimit të të gjitha vajrave.
“Ne do ta arrijmë të mbulojmë dikur deri në 70% te tregut vendor brenda 2 viteve për shkak se jemi rafineri e vetme, e cila është ndër më modernet njëkohësisht edhe është njëri ndër vajet më të mira dhe besoj që 70% të tregut do ta mbulojmë me prodhimet tona por njëkohësisht ja ofrojmë edhe prodhuesve vajin më të mirë në treg”, nënvizon Mustafa.
Tutje pronari i Floilit jep edhe detaje të tjera lidhur me marrëveshjen me kompaninë bullgare dhe benifitet që do të ketë vendi nga kjo marrëveshje.
“Ne kemi biseduar edhe me kryeministrin, unë e kam vendin dhe projektin të gjithin të gatshëm për me bo fabrikën për shtrydhjen e farave, e kemi diskutua edhe me ministrin Peci sepse është një investim shumë i madh që unë nuk mundem me ja dal pa ndihmën e Qeverisë, por me bo edhe këtu fabrikën për shtrydhjen e farës sepse jo vetëm se shtrydhet fara por të gjitha mbetjet nga luledielli mund të përdoren si produkt ushqimor për kafshë për pelet dhe për yndyra të ndryshme”.
“Është interes nacional i joni dhe po besoj që ka shpeh shumë interesim kryeministri Kurti me ministrin Peci dhe po besoj që kemi me arrit me realizua, po deri te realizimi duhet kohë, unë besoj se është mundësia e mirë që të shfrytëzohet nëpërmjet Bullgarisë sepse është vendi më i afërt që na përkrahë”, rrëfen Mustafa.
Fabrika vendore e cila prodhon vajin për ushqim përveç që brenda 2 viteve do të mbuloj 70 % të tregut ajo njëkohësisht mbulon edhe rajonin me eksport të vajit.
“Brenda 2 viteve do e mbulojmë tregun me vaj deri në 70 % por njëkohësisht edhe eksport do të ketë, edhe tani mbi 20 % të punës e kemi eksport ku mbulojmë Shqipërinë sepse ajo nuk ka rafineri të vajit, mbulojmë Malin e Zi, një pjesë në Maqedoni, pak në Serbi dhe kështu edhe në Bashkimin Evropian kemi pak sasi që eksportojmë por në këtë kohë edhe kërkesat për BE janë enorme, ndërsa Suedia e merr një sasi të konsiderueshme dhe me Belgjikën tani kemi një kontratë së shpejti. Unë besoj që edhe me eksporte si kompani vetëm këtë vit kemi me kalua 30 % të qarkullimit me eksportin”, potencon ai.
Tutje Mustafa tregon se “Floili” ka rezerva të mjaftueshme edhe për tani që ta mbuloj tregun me vaj të ushqimit.
“Deri tani kemi pasur 300 ton vaj edhe 300 ton të tjera i kam kontraktua, në total janë 600 tonë dhe besoj që nuk ka me pas mungesë në treg të vajit nëse ka mungesë të vajit do ta zëvendësojmë me vaj tjetër bimor”, përfundon ai.
Kujtojmë se çmimi i vajit të lulediellit arriti deri në 3.49 euro për një litër dhe brenda 24 orëve ra në 1.95 cent për një litër.
E gjithë kjo rënie e çmimit u bë pak ora para se Policia e Kosovës të zhvilloj një aksion të inspektimit dhe bastisjes së depove kryesore të operatorëve ekonomikë kosovarë ku u konfiskuan 100 mijë litra vaj të fshehura në depo derisa raftet në markete qëndronin të zbrazura, kështu duke ngjall panik te qytetarët për mungesë të vajit./Gazeta Enigma/