Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të martën është nisur për në Hagë, ku tash e sa kohë po qëndrojnë të burgosur disa prej ish krerëve të UÇK-së, shkruan Gazeta “Enigma”.
Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep ka bërë të ditur për Gazetën “Enigma”, se Haxhiu dhe delegacioni i saj do të takohet me presidentin dhe sekretarin e Speciales.
Ndërkohë lidhur me takimet e saj me ish krerët e UÇK-së që po mbahen nga Specialja, Griep nuk ka thënë detaje. “Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë do të takohet me Presidentin dhe Sekretarin. Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kërkesat specifike të vizitorëve ose vizitat e të paraburgosurve”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se të martën, para nisjes në Aeroportin e Prishtinës, ministrja Haxhiu ka treguar se nuk do të ketë takim me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Ajo ka thënë se Thaçi e Veseli nuk kanë pranuar që të takohen.
“Do ta takojmë Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin dhe Pjetër Shalën. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”, ka thënë Haxhiu.
Kurse, këtë të mërkurë, Haxhiu do të ketë tri takime ndërsa nesër dy të tjera.
Kështu njoftoi deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, që është pjesë e delegacionit kosovar atje.
“Në bazë të agjendës, takimet fillojnë nesër, vazhdojnë pasnesër dhe në ditën e fundit të vizitës, më 1 prill, do të kemi takime të tjera. Është vizitë e kombinuar me takime të ndryshme, përveç vizitës te liderët e UÇK-së, që një pjesë do të bëhet nesër dhe një pjesë pasnesër”, njoftoi ai.
“Si delegacion institucional, duke përfshirë nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe anëtarë të Komisionit për Legjislacion, kemi bërë kërkesë që t’i takojmë të gjithë drejtuesit e UÇK-së dhe deri tani kemi marrë përgjigje pozitive nga pesë persona. Nesër do t’i takojmë Hysni Gucatin, Pjetër Shalën dhe Rexhep Selimin, derisa pasnesër do t’i takojmë Jakup Krasniqin dhe Nasim Haradinajn”, theksoi tutje.
Ndërkohë bashkëpartiak të Veselit e Thaçit kanë thënë se Haxhiu para se të nisej për në Hagë, do duhej të kërkonte falje për deklarimet e mëhershme ndaj ish krerëve të UÇK-së. / Gazeta Enigma.