Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Rusinë për “gjenocid” në Buça, që gjendet në periferi të Kievit, teksa autoritetet lokale kanë thënë se afër 300 banorë janë vrarë gjatë kohës kur Buça ishte nën kontrollin e forcave ruse.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se “masakra në Buça ishte e qëllimshme”.
Ndërkaq, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, i tha gazetës gjermane, Bild, se “ajo çfarë ndodhi në Buça dhe në pjesë të tjera në periferi të Kievit mund të përshkruhet me termin gjenocid”. Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ishte përgjegjësi i vetëm për këto krime.
Ndërkaq, Human Right Watch ka thënë se ka “dokumentuar disa raste ku ushtria ruse ka kryer shkelje të ligjit të luftës kundër civilëve në zonat e okupuara të Çernihivit, Harkivit dhe rajonit të Kievit në Ukrainë”.
Kjo organizatë, tha se më 4 mars, forcat ruse në Buça kishin qëlluar me armë zjarri prapa koke të paktën një person.
Kryetari i Buçës, Anatoly Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë në kohën kur ky qytet ishte nën okupimin e forcave ruse. Afër 280 dyshohet se janë varrosur në një varrezë masive, ndërkaq trupat e viktimave të tjera janë lënë në rrugët e këtij qyteti.
Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Mbretërisë së Bashkuar kanë reaguar pas pamjeve të publikuara nga Buça, duke thënë se forcat ruse kanë kryer mizori. BE-ja ka paralajmëruar sanksione të reja ndaj Moskës, ndërkaq Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do ta ndihmojë Ukrainën që të dokumentojë krimet e kryera nga forcat ruse. / Gazeta Enigma.