Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë sot se siguria kibernetike është një prej sfidave më të rëndësishme në botën bashkëkohore, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai ka thënë se Njësia për Siguri Kibernetike e FSK-së është e gatshme në përgjigje dhe kundërpërgjigje ndaj çdo tentim sulmi.
“Siguria kibernetike është një nga sfidat e rëndësishme në botën bashkëkohore, e posaçërisht në sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes, për shkak të kompleksitetit të saj. Prandaj edhe Njësia për Siguri Kibernetike e Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së ka për qëllim kryesor, që të sigurojë besueshmërinë, integritetin dhe privatësinë e të dhënave të sistemit tonë nga sulmet potenciale kibernetike”, tha Mehaj.
Tutje ai shtoi se “Fushata e informimit dhe vetëdijësimit për sfidat, kërcënimet dhe rreziqet e kësaj natyre si dhe masave preventive dhe reaguese, është sistematike nga ekspertët tanë dhe se operatorët tanë në gjithë sistemin e IT-së janë plotësisht të gatshëm në përgjigje dhe kundërpërgjigje ndaj çfarëdo tentative. Vazhdojmë drejtë sukseseve të radhës”, ka shkruar Mehaj në Facebook. / Gazeta Enigma.