Ndryshe nga partia, deputeti i VV-së po kërkon largimin e Berishajt

Ndryshe nga partia, deputeti i VV-së po kërkon largimin e Berishajt

Burim Meta, deputet i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, është bërë deputeti i parë nga LVV-ja që ka kërkuar largimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas skandalit që e implikoi në Slloveni, raporton Gazeta “Enigma”.

Ai tha se duhet të ruhet imazhi i Kosovës.

“Jo Heshtje! Bazuar në bindjet e mia, mendoj që për rastin e ambasadorit z. Martin Berishaj, duhet të merret një vendim. Është mirë që z. Berishaj të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë. Me një vendim të tillë, në këtë situatë që gjendet shteti ynë, do të ruhej imazhi i Kosovës pakrahasimisht më shumë sesa me mbajtjen në detyrë të Ambasadorit në fjalë, duke respektuar edhe prezumimin e pafajësisë. Gjithashtu, si shtet nuk guxojmë që të rrezikojmë që në një shtet mik, siç është Kroacia, shtet që e kemi referencë në shumë procese, të përfaqësohemi me një figurë të përfolur tashmë për gjëra që më së paku do të duhej të përfolen ambasadorët”, ka shkruar ai në Facebook.

Emri i Berishajt është përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Slloveni. Emri i tij është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, i cili të dielën i ka fituar zgjedhjet.

Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting. Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven.

Nga pushteti deri tash i kanë dalë në mbrojtje Berishajt, ndërsa nga opozita ka pasur reagime të shumta duke kërkuar largimin e tij.

Të mërkurën, Meta ka thënë se Berishaj duhet të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë. / Gazeta Enigma.

Related Articles