Kreshnik Uka i Drenicës: Do angazhohemi maksimalisht që t’i marrim pikët e plota ndaj Malishevës

Kreshnik Uka i Drenicës: Do angazhohemi maksimalisht që t’i marrim pikët e plota ndaj Malishevës

Kanë mbetur edhe tri xhiro për t’u luajtur në Superligën e Kosovës në futboll.

Tashmë veçse kampioni i Kosovës është shpallur edhe matematikisht. Sezonin 2021/22 e ka fituar skuadra nga Suhareka, Ballkani, raporton Gazeta Enigma.

Ekipet që deri më tani i kanë siguruar garat evropiane janë, Ballkani, Gjilani dhe Drita. Kurse, Llapit i duhet vetëm edhe një pikë.

Feronikeli dhe Ulpiana edhe zyrtarisht sezonin tjetër garat do t’i zhvillojnë në Ligën e Parë, kurse lufta më e madhe po zhvillohet për t’i ikur vendit të tetë që çon në barazh.

Drenica, Malisheva, Dukagjini dhe Prishtina janë ekipet që deri në fund do luftojnë për t’i ikur kësaj pozite.

Në kuadër të xhiros së 34-të, Malisheva do t’i bëj konak Drenicës në ndeshjen e cila pritet të vendosë shumë gjëra.

Sulmuesi më i rrezikshëm i Drenicës, Kreshnik Uka, ka folur për Gazetën Enigma duke thënë se në ndeshjen e radhës ndaj Malishevës do udhëtojnë vetëm për fitore.

“Javën e kaluar patëm një kundërshtar shumë të vështirë, një fitore shumë e rëndësishme ndaj Llapi dhe besoj se pas asaj fitore do shkojmë në Malishevë të motivuar për rezultat pozitiv”, ka thënë Uka.

Sulmuesi drenicas ka treguar se atmosfera në ekip para kësaj ndeshje është shumë e mirë.

“Kemi një atmosferë fantastike dhe këtë do ta dëshmojmë deri në përfundim të ndeshjes së nesërme”, shtoi më tutje Uka.

27-vjeçari për fund ju ka premtuar tifozëve angazhim maksimal.

“Askush nuk e di rezultatin e saktë, kështu që ekipi ju premton angazhim maksimal nga secili prej nesh dhe shpresojmë që me ndihmën e Zotit të kthehemi me pikë të plota në Skenderaj”, përfundoi Kreshnik Uka.

Drenica pas 33 ndeshjeve të zhvilluara zë vendin e tetë, vend ky i cili e dërgon klubin “kuqezi” në barazh.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles