Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot rrugët që çojnë drejt stadiumit “Fadil Vokrri” dhe përreth tij do të jenë të bllokuara për qarkullim dhe parkim.
Kjo, pasi sot luhet ndeshja mes Llapit dhe Buduçnostit, ku Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka hartuar dhe do të zbatojë planin operativ për të ofruar siguri para, gjatë dhe pas ndeshjes.
“Nuk do të lejohet hyrja e veturave nga rruga “Luan Haradinaj” dhe “Fehmi Agani” në drejtim të stadiumit dhe lëvizja apo parkimi përgjatë rrugës përreth stadiumit, kurse veturat zyrtare që lejohen të futen në atë zonë duhet të jenë të pajisura me leje të parkingut dhe do të futen në parkim vetëm nga rruga “Tirana””, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, bëhet e ditur se të gjithë ata që ia mësyjnë stadiumit do të kontrollohen dhe nuk do të lejohen gjëra që mund të paraqesin rrezik.
“Personat të cilët nuk janë pajisur me bileta, apo të cilët përpiqen të qëndrojnë në afërsi apo përreth stadiumit, sipas planit nuk do të lejohen të qëndrojnë, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se tifozët malazez nuk kanë udhëtuar për në Prishtinë për shkak që këtë ua ka ndaluar Policia e Kosovës./Gazeta Enigma/