Konfirmohet: Pushteti nuk do t’i procedojë pagat për grevistët

Konfirmohet: Pushteti nuk do t’i procedojë pagat për grevistët

Ministria e Financave nuk do t’i kompensojë pagat për punonjësit e sektorit publikë që kanë mbajtur grevë gjatë muajit të kaluar, këtë e ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, shkruan Gazeta Enigma.

Kusari-Lila ka thënë sot se moskompensimi financiar për punonjësit në grevë, mbështetet në ligj.

“Po e qartë, megjithatë Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin  apo moskompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Kjo ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë”, tha Kusari-Lila.

“Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët të cilët nuk janë në vendin e punës”, ka shtuar Kusari – Lila.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se pushteti është në pritje të azhurnimit të listave të punonjësve të cilët kanë qenë në grevë nga organizatat buxhetore, kryesisht komunat.

“Është përgjegjësi e agjencioneve buxhetore në këtë rast që të bëjnë azhurnimin e listës”, përfundoi ajo.

Pas një muaji grevë në arsim, të hënën ka filluar procesi mësimor në Kosovë.

Related Articles