Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë në Bruksel, duke komentuar procesin e ri-regjistrimit të automjeteve në Kosovë, se është jashtëzakonisht e rëndësishme të parandalohen çdo lëvizje që do të çonte në rritje të tensioneve.
”BE-ja ka qenë gjithmonë e qartë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim. Megjithatë, sipas Marrëveshjeve për Lirinë e Lëvizjes në Dialog nga viti 2011 dhe 2016, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani. dhe që të përgatitet dhe kryhet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikën evropiane”, shpjegoi Stano para mediave.
”Përfundimet e vitit 2016 për lirinë e lëvizjes përfshinin afate për riregjistrim, të cilat duhet të japin udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas të njëjtit arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më kuptimplote dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur. Kjo gjithashtu do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbët e Kosovës në veri të marrin kartat e identitetit të Kosovës dhe patentë shoferët e Kosovës”, tha Stano.
Zëdhënësi i BE-së thotë se tensionet janë diçka që “Serbisë dhe Kosovës më së paku i duhen”.
”Të dyja palët duhet të punojnë për vazhdimin e dialogut, i cili do të rezultojë në një përfundim, që është arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. BE-ja, së bashku me partnerët e saj, po punon me të dyja qeveritë për të parandaluar çdo përshkallëzim të tensioneve, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me interesat e të dy popujve. Interesi i tyre më i rëndësishëm është të ecin përpara drejt Evropës”, tha ai.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve për një qasje konstruktive.
”Duke krijuar tensione dhe duke mos zgjidhur probleme, duke shmangur bisedat, pa vullnetin për të arritur një kompromis, nuk do të arrini asgjë dhe po punoni kundër interesave të popullit tuaj. Mesazhi ynë mbetet i njëjtë – duhet të veprojmë në mënyrë konstruktive, të gjejmë një zgjidhje për të gjitha çështjet ekzistuese dhe të parandalojmë lëvizjet e njëanshme”, tha ai.
Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe potencialisht dhuna në veri të Kosovës, thekson ai.
”Kjo ka rëndësi të veçantë në kontekstin aktual gjeopolitik, duke pasur parasysh ruajtjen e stabilitetit në rajon”, tha Stano cituar nga kosovo-online.