Katër fazat e zbatimit të vendimit për targat ilegale, Kurti: Fillojnë nga 1 nëntori

Katër fazat e zbatimit të vendimit për targat ilegale, Kurti: Fillojnë nga 1 nëntori

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të premten se vendimi për targat ilegale të lëshuara nga Serbia do të nisë së zbatuari nga 1 nëntori ashtu siç ishte paraparë, dhe se i njëjti është i ndarë në katër faza.

Në një konferencë për media bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kreu i ekzekutivit tha se nuk e kanë shtyrë zbatimin e vendimit për targat, por kanë bërë sekuensim dhe shkallëzim të sanksioneve.

Konkretisht tha se për tri javë ata të cilët nuk e zbatojnë vendimin për konvertimin e targave do të qortohen.

Pas fazës tri javore të qortimit, ai bëri të ditur se ata të cilët i mbajnë targat ilegale në Republikën e Kosovës për dy muaj rresht do t’u shqiptohen gjoba (nga 21 nëntori deri më 21 janar).

Pas kësaj faze, për dy muaj të tjerë (21 janar deri më 21 prill) do të ketë targa provuese deri në prill kur nuk do të lejohen të qarkullojnë targa të tjera përveç atyre RKS.

“Duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit e pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Dhe pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë. Pastaj më 21 prill nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Related Articles