Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë sot do të mbajë konferencë për media.
Në njoftimin e Odës së Afarizmit të Kosovës thuhet se do të diskutojnë lidhur me vendimin e qeverisë për ndarjen e mjeteve që, siç e quajtën ata, është kushtëzim për punëtorët e sektorit privat.
“Ju njoftojmë që sot, E Mërkure (02.11.2022) në orën 10:00, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë organizon konferencë për media. Tema e diskutimit: Vendimi i Qeverisë lidhur me ndarjen e mjeteve dhe kushtëzimi për punëtorët e sektorit privat”.
Qeveria e Kosovës, në fillim të muajit shtator, në Pakon për Përballjen me Inflacionin, mori vendim për subvencionimin prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e këtij sektori. Kjo masë është paraparë të zgjasë për tre muaj.
Të zëshëm kundër këtij vendimi kanë qenë nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, duke thënë se punëtorët kanë mbetur nën mëshirën e bizneseve.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka ofruar ndonjë shifër të saktë se sa punëtorë të këtij sektori kanë pranuar pagë me rritje.