Kërcënimeve të Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës i është përgjigjur Qeveria e Kosovës. Në një deklaratë për RTV Dukagjini thonë se nuk është e nevojshme braktisja e institucioneve, por braktisja e kërcënimeve nga këta serbë.
Policia e Kosovës në Veri, ka mbetur pa udhëheqës. Kjo pasi drejtori Nenad Gjuriq është suspenduar nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “sabotash” ndaj institucioneve te Republikës së Kosovës. Deri më tani nuk është caktuar ndonjë ushtrues detyre për këtë pozitë.
Ky suspendim ka ngjallur reagimin e Listës Serbe të cilët assesi nuk janë pajtuar me vendimin.
Madje, kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, ka paralajmëruar takim për të shtunën në veri, ku do të kërkojë nga serbët të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës.
E ekzekutivi në Kosovë në një përgjigje për televizionin Dukagjini kanë deklaruar se nuk shohin arsye për braktisje të institucioneve.
“Ne besojmë se nuk asnjë arsye që të braktisen institucionet tona, nga askush. Institucionet i shërbejnë qytetarëve pa dallim. Kur ato braktisen, mungojnë shërbimet për ta. Andaj në vend të institucioneve, duhen të braktisen metodat e kërcënimeve ndaj tyre dhe presioneve ndaj qytetarëve tanë serbë që duan drejtësi dhe zhvillim, zbatim të ligjit dhe integrim”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Ndërsa, zv. kryesuesi i kuvendit komunal të veriut, Skender Sadiku, thotë se shpreson që ideja për tërheqje nga institucionet është vetëm deklaratë politike.
“Të mbesin vetëm për konsum të brendshëm dhe të mbesin vetëm deklarata politike. Shpresoj dhe besoj që kjo të përcillet te shërbyesi civil, por edhe te popullata. Ashtu kështu bojkotet politike janë gjë normale në politikë, ashtu kështu janë qëndrime e ekstreme të ndryshme janë thjeshtë normale”, deklaroi Sadiku.