Ulëset e rezervuara për serbët në Kuvend mund ta çojnë vendin në zgjedhje

Ulëset e rezervuara për serbët në Kuvend mund ta çojnë vendin në zgjedhje

Kushtetuta e Kosovës nuk ofron zgjidhje në rast se kandidatët e mbetur të Listës Serbe nuk pranojnë të zëvendësojnë kolegët e dorëhequr dhe as për situatën nëse njëjtë veprojnë edhe partitë tjera serbe.

Një situatë e tillë eventuale do ta linte Kuvendin pa 10 deputetë që kanë vendet e rezervuara te komunitetet, votat e të cilëve janë të domosdoshme për çdo ndryshim kushtetues që mund t’i nevojitet shtetit. Andaj, njohës të funksionimit të Kuvendit e vlerësojnë të lartë rrezikun për zgjedhje të parakohshme.

Ulëset e lëna bosh pas dorëheqjes së deputetëve të Listës Serbe akoma nuk dihet nëse do të plotësohen.

Kjo pasi që është e paqartë nëse nëntë kandidatët nga lista e pritjes së këtij subjekti politik do të pranojnë mandatet e lëna në gjysmë nga bashkëpartiakët.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kohë edhe katër ditë që kandidatët Dragana Antonijeviq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Jokiq, Ksenija Bozoviq, Rados Mihajloviq, Biljana Maksiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq dhe Olivera Zdravkoviq t’i rekomandojë te Presidentja.

Valdete Daka e cila ka udhëhequr KQZ-në, tregon se si duhet të veprohet nëse këta kandidatë vendosin mos t’i pranojnë mandatet.

“Nëse ata tri herë radhazi nuk shkojnë në seancë e humbin mandatin e deputetit përsëri, në të vërtetë e humbin të drejtën për të qenë deputet dhe pastaj shkon procedura e njëjtë përsëri kërkohet nga KQZ-ja që të bëhet rekomandimi nga subjektet e njëjta politike”, ka thënë Daka.

Mirëpo, Lista Serbe nuk ka kandidatë tjerë për t’u bërë deputetë.

Rrjedhimisht, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, rekomandohen kandidatë nga parti tjera serbe që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

Në zgjedhjet e përgjithshme kanë kandiduar dy parti të tilla, SDS dhe GI SPO, të cilat së bashku kanë vetëm tetë kandidatë, dy më pak sesa ulëset e garantuara.

E, situata do të komplikohej nëse as ata nuk do të pranonin mandatet.

“Kuvendi mbetet në 110 ulëse në rast se nuk pranohet mandati, por që i humbet funksionaliteti në kuptimin e amendamentimit të Kushtetutës për shkak se nuk do të mund të bëhet pa pasur edhe votat e 2/3 të komuniteteve që mbajnë ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës. Rrjedhimisht, nëse do të duhej që të shtyjmë përpara iniciativa të Qeverisë të cilat kanë të bëjnë ta zëmë me Vettingun ose të tjera që kërkojnë ndryshime kushtetuese, atëherë Kuvendi nuk do të jetë në gjendje që t’i bëjë këto ndryshime”, ka theksuar Krasniqi.

Zgjidhje për një situatë të tillë eventuale nuk ofron Kushtetuta.

Hartuesit e aktit më të lartë juridik të vendit, sipas Krasniqit, nuk kanë parashikuar se çfarë ndodhë në rast se nuk pranohen mandatet nga kandidatët për ulëset e garantuara.

Kjo, shton Krasniqi, mund ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“…atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme për shkak se ky Kuvend nuk do të mund t’i jepte zgjidhje problemeve me të cilat eventualisht do të mund të përballeshim në të ardhmen dhe është një rrezik i madh të cilin institucionet do ta marrin para vetes nëse ata do të vazhdojnë të funksionojnë duke qenë të paaftë që t’i ushtrojnë të gjitha kompetencat të cilat Kushtetuta ia ka paraparë Kuvendit”, është shprehur ai.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe dorëzuan mandatet e tyre në shenjë revolte me Qeverinë e Kosovës për shkak të vendimeve të saj të fundit që prekin veriun e vendit.

Related Articles