Në takimin e sotëm të Grupit Punues për vizat në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian ka përafërim qëndrimespër çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Burime të Klan Kosovës brenda këtij grupi bëjnë me dije se sistemi “ETIAS” ende mbetet si një ndër kushtet për liberalizim.
Poashtu, Klani mëson se një takim tjetër i këtij grupi do të mbahet për të njëjtën temë më 8 dhjetor të këtij viti.
Më 13 tetor të këtij viti, ishte takimi i kaluar i Grupit Punues i Këshillit të BE-së për vizat. Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së, pas përfundimit të takimit, ka thënë se Kosova i ka përmbushur dhe vazhdon t’i përmbushë kriteret për heqjen e regjimit të vizave.
Megjithatë, aty bëhet e ditur se janë disa çështje që duhet të diskutohen para se të jepet drita jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Më 13 tetor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave”.
“Grupi Punues e ka mirëpritur rihapjen e diskutimeve mbi këtë temë dhe në përgjithësi e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Në mënyrë që të ketë progres në këtë çështje do të jetë e nevojshme që të sqarohen një sërë temash të ndërlidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së të siguruar nga Klankosova.tv.