Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot po udhëton për në SHBA, ku do të mbajë disa takime të rëndësishme.
Lideri i LDK-së njoftoi se do të qëndrojë një javë në SHBA dhe se do të ketë një sërë takimesh në Departamentin e Shtetit.
I pyetur nëse vizitat e tilla mund të konsiderohen si favorizime të opozitës dhe sanksione për qeverinë e Kosovës, e cila u rekomandua të shtyjë vizitën e përfaqësuesve të saj në SHBA, Abdixhiku tha se është në interes të Kosovës që përfaqësuesit e saj të vizitojnë SHBA-të sa më shpesh që është e mundshme.
“Nuk dua ta lexoj kështu dhe nuk do të doja ta lexoja kështu. E them edhe një herë se është në interes të vendit që përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës të vizitojnë sa më shpesh SHBA-të, për t’u lidhur aty sa më afër”, tha deputeti opozitar.
Abdixhiku theksoi se në SHBA nuk do të flasin kundër qeverisë së Kosovës, por se do të flasin vetëm për zhvillimin e Kosovës.
“Aty do të përfaqësoj qëndrimet tona për zhvillimin e vendit, jo kundër qeverisë. Pra, nuk është ky qëllimi i vizitës. Unë kurrë nuk jam opozitë jashtë vendit. Unë nuk dal dhe shaj vendin tim”, tha Abdixhiku.
Siç ka thënë ai, vizita e tij shtatëditore në SHBA është aranzhuar kohë më parë.
“Të dielën do të shkoj në Uashington dhe atje do të zhvilloj takime zyrtare që kemi planifikuar në Departamentin e Shtetit, takime me kongresmenë dhe senatorë, në institucionet amerikane të sigurisë, me qendrat e pavarura kërkimore, me figura të rëndësishme atje, si pjesë e LDK ka një traditë të caktuar historike dhe një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.