Ministri i Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu e ka quajtur precedent të rrezikshëm ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë mbi bazën e kërkesës së Kishës Ortodokse serbe.
Ai gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, tha se nuk është ndaluar buxheti për ndërtimin e kësaj rruge, por janë kundër idesë që të ndërtohet bypass-i 18 kilometra në vend të atij prej 6 kilometrave brenda zonës së mbrojtur.
“Nuk e kemi ndal buxhetin aspak. Ideja është të ndërtohet një rrugë 18 kilometra në vend të 6 kilometra brenda zonës së mbrojtur nëpër male dhe bjeshkë. Pse? Për shkak se kalon kah disa prona të caktuara. Kjo është gabim, sepse krijojmë një precedent të rrezikshëm dhe kudo që kemi zona të veçanta do të kërkojë të bëjmë bypass”, u shpreh ai.
Këtë deklarim të ministrit, e quajti gënjeshtër kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha i njëjti me këtë vendin po i shërben Beogradit.
“Po mundohesh, më fal për fjalorin, me na rrejt në sy edhe neve banorët atje. Mos! Nuk mundemi të të lejojmë, ndoshta unë të lejoj, por nuk mundem për hatër të atyre njerëzve. Rruga që na lidh me Plavë vazhdon nëpër bjeshkë, janë asfaltuar një numër i caktuar i kilometrave, mos e lidh me kishë. Edhe Beogradi po dëshiron me lidh me kishë për të na vonuar. Ti je kah dëshiron. Je duke ia hequr buxhetin. Dy herë ia ke larguar. Nëse të ka shti Beogradi tregona, a e ki aty problemin dhe po të falim. Ama, bash ashtu je duke bërë”, tha ai.
Por ministri tha se me qenë i Beogradit e kishte pranuar kërkesën e Kishës Ortodokse për ndërtimin e bypass.
“Sa i përket Beogradit, momentalisht si bashkëudhëheqëse i këshillit për zbatim dhe monitorim ballafaqohem me një fakt të rëndësishëm i cili është pranimi i bypass-it në emër të rrugës Deçan-Plavë. Kjo rrugë është njëra ndër prioritetet, tash unë po e kundërshtoj këtë bypass. Kisha po e kërkon atë bypass. Me qenë i Beogradit e kisha pranuar, po s’jam i Beogradit dhe rrjedhimisht po e refuzoj atë bypass”, tha ai.
Krahas kësaj, ministri kritikoi opozitarët edhe për mungesë të planeve qeverisëse sa kanë qenë në pushtet.