“Shumë efektiv në rastin tonë, pse s’po jeni efektiv në rastet e korrupsionit”, ka qenë reagimi i ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, drejtuar prokurorit Ilaz Beqiri, në seancën që është duke u zhvilluar të martën lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2016.
Në këtë rast, po akuzohen Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Haxhiu.
Ky reagim i ministres Haxhiu ka ndodhur pasi prokurori Ilaz Beqiri në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se aktakuza në këtë rast ishte ngritur në afat rekord prej 40 ditësh që nga dita e kryerjes së veprës penale, më 19 shkurt 2016.
Seanca është duke vazhduar ende.
Fillimisht, gjykatëse e këtij rasti ka qenë Naime Krasniqi – Jashanica, por pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departament të Përgjithshëm, ky rast do të gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.
Ndryshe, për këtë rast, gjashtë seanca ishin shtyrë radhazi, konkretisht, seancat e 10 dhe 30 korrik, 2 dhe 15 shtator 2020, si dhe ato të caktuara të mbahen më 16 mars e 1 prill 2021.
Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.
Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.
Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi