Krerët e shtetit të mërkurën nënshkruan aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian në një ceremoni zyrtare të organizuar në ambientet e Presidencës së Kosovës, ndërkaq të enjten në Pragë, kryeministri i vendit, Albin Kurti ia dorëzoi aplikimin e Kosovës zyrtarëve të Republikës së Çekisë, shtet ky që kryeson Presidencën e Këshillit të BE-së.
Në Pragë, Kurti është pritur nga ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek me të cilën kanë biseduar për procesin e integrimit të Kosovës, çështjen e liberalizimit të vizave dhe zhvillimet tjera.
E mbështetja e parë për Kosovën për këtë hap erdhi nga vet shteti i Çekisë që deri në fund të dhjetorit kryeson me Presidencën e Këshillit të BE-së.
Ministri Bek tha se është nder për të që të pranojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Ai ka theksuar se Presidenca çeke në 6 muajt e fundit i ka vënë vëmendje të jashtëzakonshme Ballkanit Perëndimor.
“Është nder për mua si kryetar i Këshillit të BE-së të pranojë aplikacionin e Kosovës. Na vjen mirë që kemi arritur të avancojmë tutje çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Na vjen mirë që është arritur konsensus Këshilli me Parlamentin Evropian për këtë çështje. Është kënaqësi e jashtëzakonshme…”, ka thënë Bek, duke shtuar shteti i tij e mbështetë Kosovën drejt rrugës evropiane.
E në ditën kur Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE, mbështetje erdhi nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Finlanda e Estonia, etj.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE e konsideroi akt të rëndësishëm historik, ndërkaq autoriteteve të Kosovës u uroi suksese në përmbushjen e detyrimeve të procesit të anëtarësimit.
Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare që ta mbështesin aplikimin e Kosovës, pasi kjo do të ishte jo vetëm në interesin më të mirë gjeopolitik të Bashkimit Evropian, por dhe një kontribut më shumë në mbështetje të një vendi e një populli me vokacion të qartë evropian dhe euro-atlantik.
“Urime Kosovë e shumë suksese!”, u shpreh Begaj.
Mbështetje të enjten për Kosovën erdhi edhe nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ka përshëndetur këtë hap që ka bërë Kosova, dhe ka premtuar ndihmë nga përvoja që ka pasur Kroacia në rrugën drejt anëtarësimit.
“Përshëndesim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE dhe i dëshirojmë shumë sukses në udhëtimin evropian. Do të vazhdojmë t’i japim mbështetje dhe do t’ia ofrojmë përvojën tonë kroate. Urime kryeministrit, Albin Kurti, dhe presidentes Vjosa Osmani”, shkroi ai në Twitter.
Edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq uroi Kosovën për aplikimin për anëtarësim në BE.
“Urime Kosovës për çështjen e liberalizimit të vizave dhe paraqitjen e aplikacionit për anëtarësim – hapi i parë drejt së ardhmes evropiane. Perspektiva të qarta të anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të ndalojmë së humburi kohën e çmuar dhe mundësitë”, shkruan ai.
Edhe ministri e Finlandës për Çështjet Evropiane, Tytti Tuppurainen ka shprehur mbështetjen për Kosovës.
“Jam e lumtur ta shoh Kosovën duke aplikuar për anëtarësim në BE sot. Ju jeni pjesë e familjes sonë evropiane. Finlanda vazhdon t’ju mbështesë në zbatimin e reformave dhe procedimin në integrim. Angazhimi juaj i fortë ndaj vlerave evropiane është veçanërisht i rëndësishëm në këto ditë!”, tha ajo.
Përveç Finlandës, mbështetje erdhi nga Estonia.
Ministri i Punëve të Jashtme i Estonisë, Urmas Reinsalu ka thënë se shteti i tij është i gatshëm që ta përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Estonia qëndron e gatshme për ta përkrahur Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së”, ka shkruar Reinsalu në rrjetin social Twitter.