Deputeti i Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD), Josip Juratoviq, tha se Serbia nuk duhet të ketë prioritet bllokimin e hyrjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare, sepse Kosova përmes institucioneve ndërkombëtare do të duhet të respektojë rregullat ndërkombëtare për serbët.
Juratoviq ka thënë për gazetën “Nova” se “pa rregulluar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, as Serbia e as Kosova nuk do të hyjnë në BE”, transmeton Gazeta Express.
“Të dy duhet t’i thonë popujve të tyre, sepse çdo vonesë mund të zgjasë ekzistencën e tyre politike, por rrezikon popujt e tyre, jo vetëm në aspektin e luftës dhe paqes, por edhe në aspektin e jetës së përditshme”, tha Juratoviq.
Juratoviq theksoi se “shembulli më i mirë për këtë janë dy Gjermanitë para rënies së Murit të Berlinit”, të cilat kurrë nuk e njohën njëra-tjetrën, por ishin anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare.
“Do të vijë koha kur shoqëritë moderne demokratike do të ndërtohen si në Serbi ashtu edhe në Kosovë dhe ato do të gjejnë lehtësisht një zgjidhje përpara se të anëtarësohen në BE. Kujt i intereson më shumë mosmarrëveshja për kufirin e Kroacisë me Slloveninë pas hyrjes së Kroacisë në Shengen”, tha Juratovic.
Juratoviq deklaroi se “do të ishte më e rëndësishme për Serbinë të përmirësojë imazhin e saj në botë”.