Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi, që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kurti tha se nuk është ftuar në takimin që do të mbahet në Ambasadan amerikane.
Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.
“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”, tha Kurti, për REL.
????️ Kurti: Takimi për Asociacionin, pasojë e insistimit të Escobarit
Kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk është ftuar në takimin që do ta organizojë Ambasada amerikane për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
???? Intervista e plotë: https://t.co/DKlJc3MfzP pic.twitter.com/Sp8NZqUl3r— Radio Evropa e Lirë (@evropaelire) January 27, 2023
“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, ka deklaruar ai.
Më tej ai tha se “Asociacioni – pa u hapur çështja e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër – Asociacioni me bazë njëetnie; Asociacioni me ato struktura ilegale në veri, të cilat 16 rrugëve ilegale që na i mbyllën, iu përgjigjën me 16 barrikada në rrugë ilegale, ky Asociacion as nuk është i qëndrueshëm, as i zbatueshëm e natyrisht as i pranueshëm”.