Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë për KosovaPress thotë se njohja nga Serbia është në planin e Bashkimit Evropian për dialogun. Ai kërkon nga kryeministri Albin Kurti që t’i tregojë Kosovës a pranon këtë plan, pasi deri më tani nuk ka dhënë një përgjigje definitive.
Në anën tjetër, lideri i AAK-së, konfirmon pjesëmarrjen e partisë së tij në takimin e ftuar nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë për Asociacionin më 31 janar, por kritikon Kurtin se përmes qasjes së gabuar ka sjellë Asociacionin në qendër të marrëveshjes me Serbinë. Sipas tij, amerikanët po angazhohen në mënyrë strategjike që t’ia bëjë më të lehtë Kurtit ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me i ikë përgjegjësisë.
Haradinaj për KosovaPress thotë se në planin e BE-së, apo të ashtuquajturin planin franko-gjerman për dialogun, është njohja e plotë në përmbajtje dhe substancë, pasi Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar dhe hap perspektivën për partneritet për paqe.
“Është njohja në dokument. Këtë dokument që e kemi para vetës është njohja e plotë në përmbajtje dhe substancë. E vetmja gjë që mungon është bilateralja, vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Pra Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar, bashkëpunon me Kosovën si shtet i pavarur me të gjitha të drejtat e barabarta midis dy vendeve. Kjo na hap perspektivën për partneritet për paqe dhe ecim përpara. A duhet më shumë, ku me marrë më shumë, por jo me këtë njeri që po e kthen Kosovën secilin hap më prapa. Çdo ditë që vonohet unë besoj se pasojat do t’i rriten Kosovës… Është edhe de-jure në dokument ju lutem, por gjuha është e përpunuar në dokument e tillë që Serbia me u nxjerr në një plan të brendshëm atje, por Kosova i merr ato që i duhen në planin ndërkombëtar”, thotë kryetari i AAK-së.
Haradinaj shton se drafti i planit të BE-së për dialogun është i njëjti në tavolinë tash e sa kohë, derisa i kërkon kryeministrit Kurti të tregojë se a pranon dokumentin, pas dhënies së dritës së gjelbër nga Serbia.
“S’ka ndryshime në draft fare, asnjë ndryshim s’ka. Ky draft është i njëjti që e ka Kurti që sa kohë, i njëjti është në tavolinë. Deklaratat e tij janë kapak konfuze, se dinë çka po thotë dhe i ndërron deklaratat çdo ditë. S’ka asgjë të kësaj natyre, është një dokument dhe nuk janë që ndërrojnë, pasi kur iu paraqiten palëve ato mbesin…Nuk foli para tij, kërkoi që ai me na tregu neve si Kosovës a është duke vlerësuar këtë dokument, pasi Serbia po thotë i kam thënë po. Ku jemi ne, çka po ndodh me ne. Ai k a borxh Kosovës me i tregu vlerësimin e tij, pasi kështu bëjnë njerëzit serioz”, deklaron ai.
Duke folur për takimin e ftuar nga Ambasada amerikane, ai thotë se qëllimi është që kryeministri Kurti t’i ikë fajësisë për themelimin e Asociacionit. Sipas tij, ShBA po e bënë zjarrfikësin duke i sanuar dëmet që po i shkakton Kurti në planin strategjik të Kosovës.
“Së pari i shprehi mirënjohjen ambasadorit, zotëri Hovenier për angazhimin e madh të tij për të ruajtur qetësinë, stabilitetin, veçanërisht në veri për krizat që kaluam. Nuk mund të flasë se si do të shkojë takimi, çka do të thuhet dhe çka do të ndodh atje. Atë e lejmë për nikoqirin, pas takimit, me siguri do t’i drejtohet opinionit. Por ne si AAK kemi pranuar ftesën dhe seriozisht do të kontribuojmë në këtë takim… Kjo është veç një angazhim ta quaj strategjik që me ia bërë Kurtit më të lehtë që me përbi Asociacionin, me i ikë Kurti fajësisë me thënë ma bënë këta, ma bënë ata. E gjithë kjo po ndodh për shkak të tij dhe për të… Kurti është njeri i gabuar për Kosovën në këtë kohë, ai po i rrit pasojat për Kosovën. Amerika po e bënë zjarrfikësin, ata vetëm po mundohen të sanojë dëmet e Kurtit. I sanoi në veri disa herë, po i sanon me politikën e tij të gabuar duke thirrë takimin tash për Asociacionin dhe mundur të nxjerrë Kosovën me një far fytyre në këtë proces. Ky po ia shkakton dëme të mëdha Kosovës të njëpasnjëshme në planin strategjik, pasi e ka sjell Kosovën në palë të papërgjegjshme. Ky nuk është se është prishur me bashkësinë ndërkombëtare për përmbajtjen e marrëveshjes. Kam thënë prej fillimit mos vazhdo të negociosh prej temës në temë. Ka vazhduar me negociata të fshehta përmes Bislimit ku ka mundur, s’ka bërë fare dialog me serbët e Kosovës”, thekson ai.
Haradinaj rendit disa argumente, që sipas tij, tregojnë qasjen e gabuar të Kurtit në dialog, ndërkaq kërkon edhe llogari nga ai pse e bëri Asociacionin qendër të marrëveshjes së planit të BE-së për dialogun.
“Ai duhet të jap llogari se pse ka shkuar kursit të gabuar në veri. Pse se ka sjellë planin amerikan për tabelat dhe pse nuk e ka lejuar amerikanët t’i ndihmojë Kurtit dhe Kosovës të arrihet marrëveshja në tema shumë më pozitive, pa u bë qendër e marrëveshjes Asociacioni. Tani duhet të jep llogari pse për Asociacionin dhe detyrat e tij takimin e bënë Ambasada e Amerikës, pse nuk e bënë ky. Pse nuk na thirrë Kurti me diskutu këtë temë, por na thirrë ambasada, ku merr pjesë Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje dhe gjithë të tjerët. Çfarë shteti jemi kështu na dhe çfarë porosish japim. Pra e gjithë kjo çka po ndodh në Kosovë është rezultat i një agjende të tij kundër Kosovës. Agjenda e Kurtit kundër Kosovës i ka dhënë efektet e para me planin për tabela që dështojë, u tërheq në fund me marre, i ka dhënë efektet me fuqinë e barrikaduesve që ky nuk mundi me heq, por u dash me negociu dikush që me u largu ata dhe liru Pantiqi në mbrojte në liri. I jep efektet edhe tash kur Ambasada e Amerikës e thirrë një takim për një temë që është e tij dhe me njerëzit të qeverisë. Gjitha këto janë qasja e gabuar e tij dhe agjenda e gabuar e tij kundër Kosovës dhe shërbim të Serbisë dhe Rusisë”, shton Haradinaj.
Pavarësisht kësaj, Haradinaj thotë se ShBA-ja nuk po kërkon themelimin e Asociacionit para marrëveshjes finale me Serbinë, por po insiston në kthim në gjendjen normale, të cilën, ai thotë se e ka shkaktuar kryeministrit Kurti me planin e tij për targat ilegale.
“Amerika nuk po e do Asociacionin, por e ka për Kosovën me ia mbulu budallakikat dhe humbjet që ia ka shkaktuar këtij në veri. Se ka për ngut Amerika Asociacionin, nuk po kërkon atë, por po kërkon qysh me kthyer një gjendje normale në vend, pasi ky tipi (Albin Kurti) nuk e dëgjoi”, thekson Haradinaj.
Ndërkohë, Haradinaj thotë se Kurti përveç që hoqi dorë nga kauzat e tij të mëhershme për Asociacionin, ai ka qitë dorë në veprime kundër interesit të Kosovës.
“Ky (Albin Kurti) jo që ka heq dorë, por ka qitë dorë në veprime kundër interesit të vendin të vet dhe sovranitetit në veri, rendit dhe ligjit, aleatëve, palëve që po na ndihmojnë. Ia ka bërë më të vështirë atyre që me forcu pozicionin përballë Serbisë. Ky jo që ka heq dorë, por është duke punuar intensivisht kundër vendit të vet”, shton ai.