Skandali i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, po përjetohet sërish, pasi katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët ishin suspenduar si të dyshuar për përgjegjësi ndaj këtij rasti, tashmë janë kthyer në punë. Paparaci mëson se vendimi për rikthimin e tyre në punë u mor nga Komisioni i Ankesave brenda IML-së, megjithëse nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi arsyet e këtij vendimi.
Katër zyrtarët e suspenduar për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, tash e tutje do ta vijojnë punën e tyre, aty ku iu ka mbetur.
Paparaci zbulon se Komisioni i Ankesave brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore vendosi që Nardi Sheqergjiu, Flutura Goga, Anila Lakna dhe Ilirjana Shala të vazhdojnë punën, pas suspendimit të bërë nga ana e ministrisë së Drejtësisë, dhjetorin e kaluar.
Komisioni ishte përbërë nga; Flamur Dylhasi, Valon Hyseni, Gentiana Kasumi, Besim Zllashi dhe Valdete Ujupi. Ende nuk dihen arsyet që çuan në këtë vendim goxha të papritur e mjaft kontrovers.
Instituti i Mjekësisë Ligjore është një agjenci që funksionon nën ombrellën e ministrisë së Drejtësisë. Paparaci kontaktoi edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila sugjeroi që t’ia dërgojmë pyetjet me shkrim për këtë ngjarje, por gjer më tani nuk ka marrë përgjigje.
Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar më 8 dhjetor se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, raporton Paparaci.
Vendimi, thuhej se ishte marrë pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Denoncimin e kishte bërë publikisht ministrja Haxhiu, me anë të një konference të jashtëzakonshme për media.
Bazuar në njoftimin e MD-së, komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore kishte pezulluar nga puna këta zyrtarë;
Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore,
Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore,
Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe
Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.
Një ditë më vonë, Naim Uka kishte dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Vendin e tij, aktualisht e mban si ushtrues detyre, Ditor Haliti, për të cilin Paparaci provoi të kontaktojë të dielën, por pa sukses.
Dorëheqja e Ukës lidhet me zhdukjen e disa mostrave të rastit Dehari nga laboratorët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Pas më shumë se dy muajsh, çështja e rastit Dehari është rikthyer në një nga temat kryesore në publik.
Së fundmi, ishte deputeti i LVV-së, Haki Abazi, i cili tha para gazetarëve se “duhet t’i kërkoni video incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari”.
“Video incizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës, kanë sjellë tek shkarkimi dhe anatemimi brenda LVV-së. Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për sqarim të rastit Dehari”, kishte deklaruar Abazi, të enjten që lamë pas.
Ndër të tjera, Abazi kërkoi që kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Albulena Haxhiu të intervistohen nga Prokuroria Speciale për zhdukjen e mostrave të Deharit, aktivistit tashmë të ndjerë të LVV-së.
“Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme, ne nuk mund të rrimë të heshtur përballë këtij procesi dhe duhet ta zbardhin këtë çështje. Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë me kamera, dihet qartë se kush ka hyr tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë nën mostra tjetra dhe janë zhdukur”, thoshte Abazi.
“Mendoj që Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balan dhe Flutura Goga Bajrami”.
Deklaratat dhe akuzat e forta të Abazit që nxitën debat të enjten që lamë pas, vënë në lëvizje edhe Prokurorinë Speciale.
Prokuroria tha atë ditë se ka dëgjuar më vëmendje deklaratën e Abazit gjatë konferencës së tij për shtyp dhe i njëjti së shpejti do të intervistohet nga ta.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë sot për media, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim”, thuhej në kumtesën e Prokurorisë.
Megjithatë, më 5 nëntor të 2016, ishte raportuar për një vdekje të një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Në atë mbrëmje u bë e ditur se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari.
Dehari, po qëndronte aty nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të 2016’s, me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës. Ai vdiq në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.
Vdekja fillimisht ishte cilësuar si e dyshimtë, kurse Lëvizja Vetëvendosje që nga ajo kohë e deri më tani, thotë se kjo ishte përgjegjësi institucionale.
Gjithashtu, dyshime rreth vdekjes së Deharit ka pasur vazhdimisht edhe familja e tij.
Edhe pas këtyre viteve, vdekja e Astrit Deharit vazhdon të jetë një mister i pazgjidhur nga organet e dejtësisë në Kosovë, edhe pas ardhjes së LVV-së në pushtet, e cila ka bërë zhurmë goxha të madhe se do ta zbardhte këtë rast.