Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në njëvjetorin e rezistencës së Ukrainës nga invazioni dhe agresioni rus, i ka dërguar një letër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Në komunikimet e përditshme mes përfaqësuesve të shteteve, janë të shumta letrat e urimit që shënojnë jubile të pavarësisë dhe çlirimeve. Por është e rrallë në histori t’i drejtosh një Presidenti një letër urimi në përvjetorin e rezistencës në vazhdim të vendit të tij”, ka nisur letrën për Zelensky, kryeministri Kurti.
Në komunikatën dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti ka thënë se Kosova dhe Ukraina janë dy popuj që kanë humbur shumë nga qytetarët më të mirë për shkak të planeve imperialiste dhe tokëgrabitëse të shteteve fqinje.
Ai ka shtuare se edhe pse gjeografikisht të largët, me popuj me madhësi shumë të ndryshme, historitë e dy vendeve përkatëse të shekullit të shkuar dhe të sotmit, kanë një ngjashmëri të dukshme.
Kryeministri kujtoi rezistencën tonë të para 23 vjetëve dhe se si 19 shtete demokratike u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit.
“Tani ju jeni në frontin e një lufte të re që duhet t’i japë fund gjenocidit të Rusisë kundër popullit tuaj, si dhe t’u japë fund përpjekjeve të saj imperialiste për të marrë territorin tuaj. Dhe përsëri demokracitë, shtete anëtare të NATO-s, po ju mbështetin ju, ashtu siç na mbështetën ne”, thuhet në letrën e kryeministrit.
Ai shtoi se në Ukrainë po luftohet për të mbrojtur demokracinë, integritetin territorial, të drejtat dhe liritë e njeriut, të drejtën e një populli dhe sovranitetin e një shteti.
“Këto vlera janë po ashtu në rrezik në rajonin tonë: Aleati kryesor i Rusisë në Ballkan, fqinja jonë veri-verilindore Serbia, mban ende një dëshirë të mbuluar hollë për të minuar sovranitetin tonë dhe për të marrë shtëpitë tona. Prandaj, në një kuptim shumë real, qëllimi juaj është qëllimi ynë; beteja juaj është beteja jonë”, ishin fjalët e kryeministrit.
Përmes kësaj letre, kryeministri ka shprehur mbështetjen e plotë të shtetit dhe popullit dhe i ka uruar presidentit ukrainas një fitore vendimtare.