Kryetari i Parti Republikane Serbe (PRS), Nikola Sanduloviq, në një intervistë për Klan Kosova, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është duke formuar një lëvizje kombëtare në Serbi me parulla nacionaliste se “Kosova është zemra e saj”, me të cilat, sipas tij, rinia po frymëzohet për urrejtje dhe konflikt të mundshëm.
Sanduloviq tha se BE-ja është duke fjetur, ndërkaq Vuçiqi po ngjason me Millosheviqin.
“Mendoj se është plotësisht e paqëndrueshme kjo mbështetje që të shtyhet para formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe të mos shtyhet ajo që është kyçe, pra njohja e ndërsjellë. Dhe mendoj se kjo po i shkon për dore Aleksandar Vuçiqit, i cili po blen kohë, dhe po e formon tani një lëvizje kombëtare në Serbi me parulla nacionaliste se Kosova është sërish zemra e Serbisë, dhe me të cilat rinia frymëzohet kah urrejtja, frika dhe konflikti i mundshëm. Dhe mendoj se dikush në Evropë po fle, derisa para syve tanë po shfaqet fotografia e njëjtë sikur ajo e Millosheviqit në Gazimestan. Prapa politikës së rrejshme të krijimit të paqes, fshihet përgatitja për një konflikt shumë më të madh dhe më serioz”, ka thënë Sanduloviq në Info Magazinë, njofton Klankosova.
Ai shtoi se Aleksandar Vuçiq nuk do të nënshkruaj asgjë, por do të merret me pjesët triviale të marrëveshjes, siç janë targat apo Bashkësia e Komunave Serbe.
Ndërkaq për Kurtin tha se është pjekur si një politikan serioz dhe i përgjegjshëm, i cili duhet të ketë idenë se çfarë thotë populli i Kosovës dhe të thirret edhe ai në Kushtetutën e Kosovës sikur Aleksandar Vuçiqi që thirret në Kushtetutën e Serbisë, ku deklarohet se “Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë dhe se ai asnjëherë nuk do ta pranojë Kosovën”.
“Ka ardhur koha që të angazhohet dikush shumë i fuqishëm dhe i përgjegjshëm, si edhe me përvojë të madhe në këto hapësira, e para së gjithash mendoj te dikush në Administratën Amerikane, si puna e zotit William Walkeri, apo zotit Bob Menendez, që kanë një ndikim të madh politik dhe kanë një përvojë të madhe nga ajo që ka ndodhur këtu dhe se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”, ka shtuar ai.
Ai tha se Kurti është i vetëdijshëm për kurthet e Vuçiqit dhe kjo, sipas tij, do të shpie në një vakuum.
“Këtu marrëveshje nuk do të ketë. Albin Kurti është i vetëdijshëm për kurthin e Aleksandar Vuçiqit dhe mendoj vetëm se kjo do të na shpie në një vakuum dhe ku ky mos nënshkrim do t’i japë hapësirë përhapjes së lëvizjeve dhe ideve nacionaliste me qëllim të përgatitjes për konflikte eventuale”, ka thënë ai.