Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sërish do të përballen më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Se a do të arrihet marrëveshja përfundimtare mes këtyre dy palëve, tregon analisti politik Dritro Arifi për Gazetën Enigma.
Arifi thotë se dakordimi mund të jetë vetëm formal sa për të thënë që të vazhdohet dialogu në planin evropian.
“Nuk pres ndonjë dakordim substancial, mundet formal sa për të thënë që të vazhdohet dialogu në planin evropian për dy arsye; e para është sepse BE nuk po tregohet shumë imponues që palët ta pranojnë planin, në një farë mënyre t’i detyrojë dhe e dyta është se palët nuk po dëshirojnë që të implementojnë marrëveshjet e kaluara, e që kjo e komplikon planin evropian në pjesën e zbatimin”, ka thënë Arifi për Gazetën Enigma.
Madje, ai thekson se do të ketë ende takime derisa të gjendet gjuha e përbashkët dhe palët të marrin seriozisht planin.
“Për këtë arsye mendoj që do të ketë ende takime derisa të gjendet gjuha e përbashëkt dhe palët ta marrin seriozisht planin, duke vepruar në implementinimin e marrëveshejeve të kaluara dhe në këtë aktual”, ka theksuar Arifi.
Ndërsa, Haki Shatri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehet optimist se një marrëveshje e tillë do të arrihet.
Ai thotë se pala kosovare e ka pjekur mendimin që janë në drejtim të duhur për aprovim të marrëveshjes.
“Pala kosovare e ka pjekë mendimin edhe mendoj që janë në drejtim për me aprovu marrëveshjen, por për Serbinë nuk mund të them asgjë”, ka thënë Shatri për Gazetën Enigma.
Shatri thotë se pala kosovare është mirë të tregohet bashkëpunuese, palë e përgjithshme në relacione ndërkombetare dhe kështu të arrihet marrëveshja.
Mes tjerash, sipas tij, është mirë që Serbia të mos e nënshkruaj marrëveshjen në mënyrë që kjo e fundit të mbetët në faj.
“Ndoshta, ata mos me pranu e me iu mbetë faji atyre, edhe me mbetë Kosova në një pozitë më të favorshme si bashkëpunuese, palë e pergjithshme në relacione ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash ai.
Madje, nëse Serbia nuk e nënshkruan marrëveshjen, Shatri thotë se është fat i mirë për Kosovën.
“Fati jonë i mirë është nëse Serbia nuk e nënshkruan marrëveshjen, sepse po e tërheki një paralale me rastin e Rambujesë kur Serbia nuk e ka pranuar marrëveshjen dhe janë ndëshkuar”, përfundoi Shatri.
“Asociacioni parakushti themelor për arritje të marrëveshjes”
I dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të formohet në Kosovë, pasi “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje”.
Ndërsa, në anën tjetër kryeministri Kurti ka ripërsëritur qëndrimin e tij se kërkesa e Serbisë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, nuk do të përmbushet.
“Unë jam këtu si kryeministër i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga identiteti i tyre kombëtar, përkatësia etnike apo fetare. Prandaj, dua t’i kënaq të gjithë qytetarët në përputhje me të drejtat, nevojat dhe dëshirat e tyre. Për shkak të rendit juridik të shtetit tonë demokratik, zgjidhjet monoetnike nuk janë të mundshme”, ka potencuar Kurti.
LEXO EDHE: Pse takimi Kurti – Vuçiq i 18 marsit do të mbahet në Ohër?
Ndryshe, Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.