Pas fillimit të ciklit të ri kualifikimeve të Kosovës dhe Shqipërisë për kampionatin evropian Euro 2024 dhe transmetimin e ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024 në ekranet tona kthehen emocionet e elitës së futbollit kosovar.
Skuadrat e Albi Mall Superligës e vazhdojnë aty ku e lanë para kualifikimeve të Përfaqësueses së Kosovës për Euro 2024 me betejën e madhe për dalje në Evropë dhe mbijetesë.
Seria e transmetimeve starton të shtunën me tri ndeshje të shkëlqyeshme:
Ballkani – Gjilani, Prishtina – Trepça’89 dhe Llapi – Malisheva që të gjitha me fillim nga ora 15.
Ballkani i cili po synon mbrojtjen e titullit të kampionit pas një serie të rezultateve të dobëta dhe pesë ndeshjeve pa triumfuar kërkon t’i kthehet fitoreve ndaj Gjilanit i cili po lufton për një vend i cili ia hap dyert drejt garave evropiane. Fitoren e fundit, djelmoshat e Iliër Dajës e shënuan ndaj Trepçës’89 me 23 Shkurt në Mitrovicë kurse sivjet në dy përballjet direkt me Gjilanin kanë dy fitore. Me 2 Tetor të vitit të kaluar, në Suharekë triumfuan me rezultat 2:0 kurse me 27 nëntor në Gjilan ishin edhe më të bindshëm (0:3). Si do të jetë kësaj radhe mbetet të shihet të shtunën nga ora 15, direkt në Sport 1 në Artmotion.
Një rivalitet tjetër i madh do të kemi edhe në duelin Prishtina – Trepça’89 me prishtinasit që gjithashtu kërkojnë daljen në Evropë dhe janë pesë pikë pas Gjilanit që ndodhet në pozitën e tretë kurse mitrovicasit janë në luftë për ekzistencë dhe çdo pikë është shumë e rëndësishme dhe “e madhe sa shpija”. Në dy takimet paraprake, rivalët barazuan në Prishtinë (2:2) ndërsa me 27 Nëntor në Riza Lushta, bardh e kaltrit prishtinas triumfuan bindshëm (0:3).
Trilogjinë e ndeshjeve fenomenale të së shtunës e mbyllin Llapi dhe Malisheva që po ashtu luftojnë me motive diametralisht të kundërta, llapjanët për Evropë dhe malishevasit për mbijetesë. Llapi në pozitën e pestë ka tubuar 33 pikë, dy pikë më pak se Prishtina dhe shtatë më pak se Gjilani kurse Malisheva në pozitën e shtatë ka 29 pikë po aq sa edhe Trepça’89 në pozitën tetë dhe po shkojnë fytazi për mbijetesë. Është interesant të theksojmë se këto dy skuadra sivjet janë ndarë dy herë baras, me 1 Tetor në Zahir Pajati në Podujevë luajtën me rezultat 1:1 kurse në Liman Gegaj të Malishevës luajtën pa gola (0:0). Cila skuadër do t’ia bëjë sefte apo për herë të tretë do të ndahen në paqe?