Sot u bë një vit nga Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, në të cilin Agim Ademi ishte rizgjedhur me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve për mandatin e tij të dytë katërvjeçar. E në njëvjetorin e rizgjedhjes së Ademit, FFK ka postuar një video dhe artikull me të arriturat e këtij 1-vjeçari të Ademit, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak pasi prokuroria është duke i kryer disa hetime rreth FFK-së.
Postimi i FFK-së
Mandati i ri filloi me moton “Bashkë për Futbollin”. Programi gjithëpërfshirës katërvjeçar i hartuar nga presidenti Ademi, i mbështetur nga profesionistë të fushës, u përkrah nga komuniteti i futbollit dhe nga delegatët e Kuvendit të FFK-së.
Vitin 2022 e nisëm me rritje të buxhetit prej 33 përqind. Kjo gjë mundësoi realizimin e shumë projekteve si dhe mbështetje për klubet nga fondi i solidaritetit të UEFA-s, sponsorizimi i ligave, të drejtat televizive si dhe heqja e kuotizimit për klubet dhe mbulimi i shpenzimeve të gjyqtarëve.
Madje, përmirësimi i infrastrukturës së klubeve ishte në epiqendër të programit të presidentit Ademi. Kësisoj, përveç mbështetjes së klubeve në mirëmbajtjen e fushave dhe rregullimin e sistemit të ujitjes për të gjitha fushat me bari natyral, FFK realizoi projektet e ndërtimit të disa fushave me bari sintetik në qytete të ndryshme: U rindërtuan fushat e KF Ballkani, KF Flamurtari, KFF Bazeli 2015, Lidhjes Rajonale të Pejës në Brestovik, fusha në Bardh të Madh, në Obiliq, Ratkoc, Fushë Kosovë, Vitomiricë dhe fusha për personat me nevoja të veçanta në Bërnicë.