Osmani për takimin në Bruksel: Drafti i Vuçiqit nuk duhet të jetë bazë për diskutim

Osmani për takimin në Bruksel: Drafti i Vuçiqit nuk duhet të jetë bazë për diskutim

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, pas homazheve të bëra në kujtim të 24 vjetorit të Masakrës së Studimës, ka folur edhe për takimin që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do ta ketë sot në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Osmani tha se pret që Kurti ta ketë të gatshëm një draft të Asociacionit, për ta prezantuar në takimin me Vuçiqin.

Ajo theksoi se varianti i homologut të saj serb mund të mos jetë në bazë të Kushtetutës.

Vjosa Osmani tha se diskutimi për të pagjeturit do ta detyrojë Serbinë që t’i hap arkivat  për mijëra të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturës ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave, pra ta kemi draftin tonë që është në bazë të Kushtetutës”, tha Osmani.

“Çështja e të zhdukurve me dhunë është pika e parë e agjendës nga ajo që është prezantuar nga ana e ndërmjetësve të Bashkimit Evropian. Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që t’i hap arkivat, aty ku gjinden edhe arkivat e qindra mijëra të luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht kemi shumë dyshime në atë se çfarë do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët nëse nuk bllokohet nga ana e Serbisë, do të përfundojë sot”, theksoi ajo.

Related Articles