Zhurmë e debat shkaktoi në Kosovë, vendimi për shkarkimin e ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit nga ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shkruan Gazeta Enigma.
Madje ekzekutivi kosovar për këtë vendim është kritikuar sot edhe nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e cilësoi këtë vendim si “shkelje të frymës së marrëveshjes së dialogut.
Duke e komentuar këtë vendim, Stano u shpreh se BE pret që së shpejti palët të koordinohen për marrëveshjen finale.
“BE, si ndërmjetës, do të ftojë negociatorët kryesorë dhe ekspertët e tyre në Bruksel për të nisur negociatat për kartën”. Ne presim që të dyja palët të angazhohen në proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, dhe të përfundojnë negociatat shpejt. Më 2 maj, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u tha të dyja palëve se ekipi menaxhues do të ftohet të marrë pjesë në proces nëse është e nevojshme, i cili do të përcaktohet nga moderatori i BE-së”, theksoi Stano.
Ndërkohë ky vendim si gabim strategjik i Qeverisë po konsiderohet edhe nga analistët.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Amir Shabani, në një prononcim për Gazetën Enigma, tha se ky shkarkim duhej të ndodhte më herët, e jo në këtë periudhë ku u formua njè dokument i dëmshëm.
Ai theksoi se Borrell kishte deklaruar që bisedimet rreth Asociacionit do të vazhdojnë me po atë draft statut të prezantuar nga ky ekip menaxhues që u shkarkuan.
“Çështja rreth shkarkimit të ekipit menaxhues për formimin e Asociacionit më shumë ka ndikuar në çështjen kohore, e që është dashur të realizohet më herët, jo pasi ka prodhuar një dokument të dëmshëm. Mes tjerash, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se bisedimet për Asociacionin do të vazhdojnë mbështetur mbi draftin e statutit të prezantuar nga ky Ekip Menaxhues dhe me logjikën e vendosur nga Brukseli, sipas Aneksit të Zbatimit, pala që nuk tregohet konstruktive do t’i bartë pasojat”, deklaroi Shabani.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare potencoi se Qeveria e Kosovës ka qenë në dijeni se kryesuesja e Ekipit është deputete nga partia e Vuçiqit dhe nga ky fakt nuk është dashur të lejohet prezantimi nga një deputete e tillë.
“Qeveria e ka ditur se kryesuesja e Ekipit është deputete e partisë së Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë, pra nuk është dashur me asnjë kusht të lejohet prezantimi i një deputeteje, e cila është betuar në Kushtetutën e Serbisë. Kushtetutë brenda së cilës ndodhet edhe Kosova, të propozojë çfarëdo për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Kosova nuk mund ta pranon një statut të Asociacionit i cili është në kundërshtim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u shpreh Shabani për Enigmën.
Gjithashtu, analisti tha se marrëveshja për formimin e Asociacionit u arrit në vitin 2013, dhe një tjetër në vitin 2015, por që deri tani nuk është zbatuar asnjëherë.
“Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar me një marrëveshje tjetër në vitin 2015. Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar asnjëherë, për shkak se Beogradi zyrtar kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa, Prishtina refuzon me arsyetimin, se mund ta kërcënojë funksionalitetin e shtetit dhe të ngjasojë me një Republikë Srpska në Kosovë”, përfundoi Shabani.
Kurse kryeministri Kurti tha se dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.
“Unë kam propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”, potencoi Kurti.
Sipas kryeministrit “ dëshira e tyre (serbëve) për një Republikë Sërpska e ka shkruar këtë statut“.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq.
Ai tha se largimi i ekipit menaxhues dërgon në shfuqizimin e Asociacionit dhe dialogut.
“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e Projekt Statutit të ZSO-së, por ekipi drejtues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të ZSO-së, deri në themelimin e Komunitetit. Është e qartë se me këtë vendim skandaloz, Kurti e ndërpreu procesin e formimit të ZSO-së vetëm dhjetë orë pasi, pas 10 vitesh, më në fund filloi formalisht dialogun.Tani supozoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron të formojë ZSO-në dhe se ai dëshiron të shmangë në çdo mënyrë këtë detyrim më të rëndësishëm”, u shpreh Petkoviq.
Ekipi menaxhues ishte ngarkuar me përgjegjësinë e themelimit të Asociacionit, në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015.
Së fundmi, është paralajmëruar se do të mbahet edhe një takim tjetër këtë muaj.
Ndërkohë, në Bruksel më 2 maj u mbajt takimi midis Kosovës dhe Serbisë ku u arrit marrëveshja për të pagjeturit./GAZETAENIGMA/