I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar diplomaten zvicerane, Livia Leu, me të cilën ka diskutuar për ecurinë në dialogun Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Enigma.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Lajçak në rrjetin social në Facebook.
Ai ka deklaruar se drafti i paraqitur nga ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme.
‘’Ngjarja më e madhe e javës ishte padyshim takimi i Dialogut të Nivelit të Lartë i organizuar nga HR/VP dhe i ndihmuar nga unë, që u zhvillua të martën e kaluar. Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur. Jam i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës”, thuhet në shkrimin e Lajçak.
“Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi drejtues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve’’, ka thënë Lajçak.