Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në rrugën ‘Bardhyl Qaushi’ në Gjakovë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. I dyshuari tashmë është arrestuar dhe ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Ardjent Neziraj, i cili është dërguar në mbajtje, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se viktima është i moshës madhore.
“Sot rreth orës 12:21 kemi pranuar informatë se një person është i plagosur në rrugën “Bardhyl Qaushi”-Gjakovë. Njësitet e nevojshme policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se një person i moshës madhore është qëlluar me armë zjarri. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës dhe sipas personelit mjekësor gjendja e viktimës për momentin është stabile (jashtë rreziku për jetë). Rasti është duke u hetuar”, tha Elezaj.
Sinjali ka siguruar edhe pamje nga vendi i ngjarjes ku ndodhi incidenti, motivi i të cilit është akoma i panjohur.