Zbritet çmimi i naftës por jo edhe biletat e autobusëve

Zbritet çmimi i naftës por jo edhe biletat e autobusëve

Studentët janë shtresa që më së shumti shfrytëzojnë linjat e autobusëve, e kryesisht lëvizja e tyre bëhet drejt kryeqytetit ku gjendet edhe Universiteti Publik i Prishtinës, shkruan Gazeta Enigma.

Krahas shpenzimeve ditore, hargjimet më të mëdha ata i bëjnë për bileta të udhëtimit. 

“Unë mendoj që çmimi i biletave të autobusëve është pak i lartë shkaku se për disa që udhëtojnë duhet me mendu vetëm për bileta, pra duke mos shpenzu për ushqim ose ndonjë gjë tjetër”, thotë studentja A.U e cila ende financohet nga prindërit.

Ndërsa, një student tjetër, potencon se ka pasur një ngritje të çmimit në këtë relacion.

“Po, biletat e autobusit janë shtrenjtuar me shtrenjtimin e naftës, për shembull, unë si student kur kam udhëtuar nga Gjilani për në Prishtinë, bileta për student ka qenë 1.50 euro, por tani është bërë 2 euro, ndërsa bileta e rregullt për Prishtinë është 2.50 euro, që i bie se për 50 cent janë shtrenjtuar biletat për këtë relacion”, tha ai.

E pyetur se në çfarë mase çmimet e biletave e rëndojnë buxhetin familjar, studentja A.U, ka deklaruar se e rëndojnë shumë, sidomos në familjet me vetëm një anëtar të punësuar.

“Po, e rëndojnë shumë se si e ceka edhe më herët e gjithë pagesa shkon vetëm në rrugë ndoshta, e dikush ka që punon vetëm 1 anëtar i familjes dhe varet vetëm nga ai. Dhe disa vende që janë më larg kushton vetëm rruga 10 euro e ku janë gjërat e tjera?, pra është paksa rënd”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, çmimi i rritur i biletave sipas ekspertëve erdhi si pasojë e konfliktit Rusi-Ukrainë, e cila shkaktoi ngritje në çmimin e naftës.

Disa muaj më parë, kosovarët po paguanin deri në 1.90 euro për litër. E si pasoj e kësaj, kompanitë e linjave të autobusëve filluan t’i ngrisin bashkë me çmimin e naftës edhe çmimet e biletave të udhëtimit.

Ndërkohë edhe pse tashmë çmimi i naftës po bie, nuk po bien edhe çmimet e biletave.

Kompanitë arsyetojnë ngritjen e çmimeve

Nga kompania “Përparimi”, kanë deklaruar se nuk ka pasur ngritje të çmimeve pavarësisht çmimit të lartë të naftës.

“Në regjionin e Gjilanit çmimet e biletës nuk kanë pasur ngritje edhe pse nafta ka pasur ngritje të lartë. Ne këto çmime i kemi pasur para ngritjes së naftës”, kanë deklaruar nga kompania për Gazetën Enigma.

Ndërsa, të pyetur për linjën Gjilan-Prishtinë, ku nga udhëtarët është raportuar ngritje prej 0.50 cent para përafërsisht dy viteve, kompania ka deklaruar se kjo ngritje lidhet me distancën e rrugës që ka kjo linjë dhe se është e arsyeshme krahasuar me çmimet e linjave tjera me distancë të ngjashme.

E njëjtë kanë deklaruar edhe nga “Bleri Company”, të cilët për Gazetën Enigma thanë se çmimet u ndryshuan pasi që shteti nuk ka ndërmarrë as edhe një inciativë për t’i ndihmuar kompanitë e autobusëve.

“Me sa unë jam në dijeni gjithmonë ka qenë çmimi 1.50€ për studentë dhe 2.00€ për udhëtarë në relacionin Prishtinë – Ferizaj. por gjithmonë kanë bërë kompanitë lëshime pasi që shteti nuk ndërmori as edhe një inciativë për t’i ndihmuar kompanitë e autobusëve . Ata u detyruan të mos bëjnë lëshime në çmime”, kanë deklaruar ata.

Për relacionin Gjilan-Prishtinë, të njëjtit kanë konfirmuar të ketë pasur një rritje në çmimin e biletave.

“Gjilan – Prishtinë, nëse nuk gaboj e kanë bë një ngritje 0.50, ka qenë 1.50 për studentë, 2 euro për udhëtar, ndërsa tash është 2 euro për studentë e 2.5 për udhëtar”, duke shtuar se kjo ngritje ka ndodhur në kohën e pandemisë dhe konfliktit Rusi-Ukrainë.

A pritet të ketë ngritje të sërishme të çmimit të naftës?

Ndërkohë, në një deklaratë për Gazetën Enigma, Fadil Berjani, Kryetar i Shoqatës së Naftarve të Kosovës, ka konfirmuar se aktualisht çmimet e naftës janë stabile.

“Çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC. Kur ka prodhim të mjaftushëm kemi ulje të çmimit dhe e kundërta kur kemi reduktim të prodhimit kemi rritje të çmimit. Për momentin kemi stabilizim të tregut”, theksoi ai.

Sa i përket se a do të kemi rritje të çmimit, Berjani tha se “nuk mundemi me paragjyku se çfarë çmime do të kemi sepse po ka lëvizje në berza ndërkombëtare”./GAZETA ENIGMA/

Related Articles