Bashkimi Evropian është i prerë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel.
Për një zbatim të tillë ka vendosur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila më 23 dhjetor të vitit 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo për shkak se në vitin 2015, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit, e që nënkupton marrëveshje mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni.
Kushtetuesja për këtë marrëveshje ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në Kosovë nuk mund të ketë Asociacion një etnik.
“Unë më duket se ju përgjigja se çka do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare e që besa edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion një etnik, pra është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Kësaj, deklarate të Kurtit i është përgjigjur Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë për FrontOnline nuk dëshirojnë t’i komentojnë deklaratat e politikanëve por se pozicioni i BE-së për Asociacionin është i pandryshuar.
“Në përgjithësi ne nuk i komentojmë, vërejtjet e politikanëve, por pozicioni i BE-së mbi Asociacionin/Komunitetin e komunave me shumicë serbe është i njohur dhe i pandryshuar. Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Stano, për FrontOnline.
Sipas tij, marrëveshja për Asociacionin e nënshkruar në vitin 2013 është obligim ndërkombëtar dhe se Kosovës i mbetet të sjellë propozime për ta themeluar Asociacionin.
“Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është anuluar. Në fakt, marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi me shumicën e 2/3. Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje. Kosovës i mbetet të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar marrëveshjen”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.
Sot gjatë ditës presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se nëse ‘Kurti shkon në Bruksel për të diskutuar njohjen e Kosovës, më mirë mos të shkojë”. Ai ka thënë se në Bruksel do të ‘duhej të diskutohej për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.