Thellohet edhe më tej përqarja Kurti – Rama, a do ketë takim mes tyre?

Thellohet edhe më tej përqarja Kurti – Rama, a do ketë takim mes tyre?

Një përplasje verbale e nisën javë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe ai shqiptar Edi Rama, gjë që rezultoi me anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahet në qershor, shkruan Gazeta Enigma.

Më 8 qershor, një ditë para mbledhjes së përbashkët, Edi Rama doli në një konferencë për media ku njoftoi se së bashku me disa ekspertë të pavarur ka hartuar një draft-status për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, të cilën ua kishte përcjellur presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Rama tha se nuk është konsultuar për këtë draft me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se drafti është hartuar nga ekspertë të pavarur, ndërsa shtoi se edhe ai vetë ka dhënë kontribut.

“Albin Kurtin po e fajëson bota e tërë demokratike dhe kjo më shkakton vetëm keqardhje. Unë nuk jam as për të gjykuar, as sulmuar Albin Kurtin. Po përpiqem të kontribuoj, pasi njëri [Kurti] çon policinë në godina bosh, tjetri [Vuçiq] çon ushtrinë në kufi”, tha Rama.

Në lidhje me këtë, reagoi vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kreu i Qeverisë, tha se kryeministri shqiptar Edi Rama në vend se të propozojë draft-statusin e Asociacionit për serbët, do të duhej që të propozojë atë për Luginën e Preshevës.

“Unë nuk kam dyshim, besoj që propozimi i tij është i mirë. Duke qenë kështu, unë propozoj që Rama këtë draftstatus t’ia prezantoj Vuçiqit më së largu në takimin e Ballkanit të Hapur si propozim për shqiptarët në Luginë. Propozimi im është që duke besuar në atë që beson kryeministri Rama, në vend se të propozoj për serbët, të propozoj për shqiptarët e Luginës”, tha ai.

Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, në fund të majit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve kosovare.

Thellohet përplasja – Kurti refuzon të takohet me Ramën pa mbledhje të Qeverive

“Jam i gatshëm të takohem me Ramën në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje”, ka thënë Kurti në konferencë për media të mërkurën.

Kurti e ka ftuar kryeministrin e Shqipërisë që gjatë kësaj jave ta mbajnë mbledhjen e anuluar të dy qeverive.

I menjëhershëm ishte reagimi i Ramës, i cili deklaroi se në lidhje me vajtjen e tij në Prishtinë, do të flas nesër(e enjte), nga ky vend.

“Jam këtu vetëm për këtë vendim. Për sa i përket vajtjes në Prishtinë do të flas kur është koha për të folur që është nesër për Prishtinë. Jam këtu vetëm për studentët e mjekësisë”, tha Rama.

A po ftohen raportet Kosovë – Shqipëri apo vetëm Kurti – Rama?

Politologu i njohur, Fidan Ukaj, tha se dy homologët nuk kanë pasur kurrë raporte të mira, e fillimi i ftohjes së raporteve mes tyre, ka qenë pjesëmarrja e VV-së në zgjedhjet e Shqipërisë, e pastaj edhe veprimet e tyre politike karshi njëri-tjetrit.

“Raportet mes dy kryeministrave shqiptarë,  Kurtit e Ramës, nuk kanë qenë të mira asnjëherë, e kjo ftohje filloj prej pjesëmarrjes së VV-së në zgjedhjet e Shqipërisë, e ka vazhdu duke u thelluar ky raport i keq, e qe e përkeqësuan edhe më shumë draft-statuti e anulimi i mbledhjes së dy qeverive një ditë para se ky takim të ndodhte”, tha ai për Gazetën Enigma.

Opozita fajëson Kurtin për prishjen e marrëdhënieve me Shqipërinë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka komentuar refuzimin e kryeministrit Kurti për takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Çitaku tha se ky refuzim i Kurtit është një marrëzi, pasi në njërën anë Aleksandër Vuçiqin po e takon pa kushte, kurse Ramës po i vendosë kushte.

Sipas Çitakut, Kosova nuk është një lodër, duke e këshilluar kryeministrin që t’i lërë inatet e hatërmbetjet personale. / Gazeta Enigma.

Related Articles