Trendi i largimit nga Kosova nuk ka të ndalur. Ky fenomen po vlerësohet si tejet shqetësues për tregun e punës, kur sipas statistikave që ka siguruar Gazeta Enigma, përgjatë vitit 2021 dhe 2022 nga Kosova drejt vendeve evropiane kanë migruar mbi 100 mijë qytetar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga të dhënat e fundit, bëhet e ditur se popullsia e Kosovës gjatë vitit 2021 u zvogëlua për 24 mijë e 215 banorë, krahasuar me vitin paraprak.
Po të njëjtin vit, sipas ASK, kanë emigruar 42 mijë e 728 persona.
Se ka rritje të vazhdueshme të ikjes së fuqisë punëtore nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE), e potencojnë edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), shkruan tutje Gazeta Enigma.
Azemi: Mbi 80 % e kompanive kosovare përballen me mungesë të punëtorëve
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka theksuar se vetëm në dy vitet e fundit nga Kosova janë larguar mbi 100 mijë punëtorë.
“Në vitin 2019 kemi 34,913 persona, në vitin 2020 i kemi 8724, ky numër ka rënë për shkak të kohës së Pandemisë, në vitin 2021 i kemi pasur 42,673 persona dhe në vitin 2022 do me thënë, e ka kaluar shifrën 60,000, që nënkupton, vetëm vitin 2021 dhe 2022 kanë ikur mbi 100,000 punëtorë”, deklaroi ai për Gazetën Enigma.
Azemi, ndër të tjera ka shtuar se ka mungesë të madhe të punëtorëve nëpër biznese e kompani, duke shtuar se shifrat janë shumë më të larta se ato që deklarohen në opinion.
“Nëse një institucion mund të jap një shifër të saktë dhe një vlerësim të saktë, jemi vetëm ne, sepse ne jemi, një pjesë bukur e madhe, në terren”, theksoi ai.
“Mbi 80 përqind të kompanive kanë mungesë të punëtorëve”, thotë Azemi duke shtuar se “Tek punëtorët e kualifikuar është mungesë jashtëzakonisht shumë e madhe, se ajo që deklarohet në opinion. 80% të kompanive në nivel vendi kanë mungesë të punëtorëve të kualifikimeve të caktuara”.
Duke u ballafaquar me mungesë të punëtorëve, Azemi thotë se kompanitë e kanë shqyrtuar edhe marrjen e punëtorëve nga Bangladeshi.
“E kanë menduar se përmes disa kompanive ose disa personave nga Bangladeshi, që të importojnë fuqi punëtore, por ne normal që kemi depërtuar edhe tek këto kompani dhe, merreni me mend, një punëtor krahu, nuk po del nën shifrën 1 mijë euro shpenzime brenda një muaji, sepse është llogaritur që për çdo kompani që duhet të jap pagë minimale 500 euro, është llogaritur që duhet të ia paguaj ushqimin 3 herë në ditë, dhe kanë paraparë që të paguajnë edhe mesatarisht 200 euro qiranë”.
E kjo sipas tij nënkupton “që për një punëtor krahu, këto kompani që kanë dashur me ofru fuqi punëtore, për punëtorë të pakualifikuar, e kanë shumën 1 mijë euro, dhe për kompanitë që dëshirojnë të kenë punëtorë të kualifikuar shumën e kanë 1mijë e 500 euro”.
“Kosova po shfrytëzohet tranzit nga punëtorët e shteteve tjera”
Në anën tjetër, Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se në mungesë të punëtorëve shumë biznese po detyrohen të zvogëlojnë prodhimin.
“Sigurisht se ka ndikuar sidomos me largimin e profileve të kuaifikuara në ndërtimtari, hidraulikë, mobileri, hoteleri, bujqësi, e të tjera. Sot nuk mund të gjeni dyqan, restorant, kafiteri, ku nuk e gjeni mbishkrimin se kërkohen punëtorë. Shumë biznese po zvogëlojnë prodhimin për shkak të mungesës së punëtorëve prandaj po përpiqen të punësojnë punëtorë nga shtetet tjera, të cilët Kosovën e shfrytëzojnë si tranzit për shtetet perëndimore”, deklaroi Shala.
Sipas Shalës, ikja e punëtorëve ka ndikuar në ç’rregullimin e tregut të punës dhe me liberalizimin e vizave ky numër i të larguarve do të shumëfishohet.
“Largimi i punëtorëve nga Kosova e ka çrregulluar tregun e punës shkaku se nuk po ka kush t’i zëvendësoj të larguarit që kanë edhe përvojën e duhur si dhe përgatitjen. Me liberalizimin e vizave numri i të larguarve do të shumëfishohet dhe ekstremisht do te kemi mungesë të fuqisë punëtore si dhe do të pakësohen kontributet për buxhetin familjar. Kosovën, pa pjesën vitale të popullsisë nuk e presin ditë të mira dhe do të kemi ngecje në të gjitha fushat”, tha ai.
Që nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së, gjë që pritet të ndikoj edhe më shumë në zbrazjen e Kosovës.
Ndërkohë, sipas ligjeve të BE-së, për qëllime punësimi, shumica e shteteve në zonën Schengen kërkojnë vizë dhe leje pune – qoftë edhe për më pak se 90 ditë.
Për të studiuar, duhet po ashtu leje banimi në shtetin përkatës që ju mundëson të qëndroni më shumë se 90 ditë.
Liberalizimi i vizave nuk ofron të drejtën për të kërkuar azil në asnjërin prej vendeve të zonës Schengen.
Shkelja e rregullave të regjimit pa viza mund të përcillet me gjoba, dëbim të menjëhershëm ose ndalim të hyrjes në zonën Schengen për një kohë të caktuar./Gazeta Enigma