Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përplasi në distancë sërish Prishtinën dhe Beogradin, vetëm disa ditë para rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht takimit të parë të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kosova dhe Serbia në vitin 2013 nënshkruan marrëveshje të parimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Vetëm disa orë pas takimit që zhvilloi në Prishtinë me dy diplomatët perëndimorë, Mathew Palmer dhe Miroslav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “nuk mund të ketë asociacion një etnik në Kosovë dhe se është i domosdoshëm integrimi i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik”.
Sipas Kurtit, për Asociacionin ekziston edhe një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese.
“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, Kushtetuesja kishte gjetur se Marrëveshja për Asociacionin nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, prandaj nuk mund të zbatohet në Kosovë.
Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës nxiti menjëherë reagimin e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili tha se Kurti nuk ka pse të shkojë në Bruksel, po të mos flasë për Asociacionin e komunave serbe.
“Nëse Kurti thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë. Dhe nëse ata presin që unë ta bëj atë, atëherë ata as nuk kanë nevojë që të më ftojnë”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se ai nuk e ka problem të diskutojë rreth të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme, siç është problemi i të zhdukurve.
I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvëndësndihmës sekretari amerikan i shtetit Mathew Palmer, gjatë së enjtes takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas vizitës që kishin në Kosovë. Palmer lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe deklaroi se “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të formohet ashtu si merren vesh palët”.
Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç pritet të zhvillohet nga mesi i muajit qershor nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Për këtë takim Albin Kurti, tha se “takimi në Bruksel nuk është takim i vazhdimit të dialogut, por është takimi i parë që pritet me presidentin e Serbisë”.
“Pra ky është takim i parë, dhe aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”, tha Kurti.