Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, do të vazhdojë gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së.
Dëshmitari i ri i ZPS-së në gjykimin kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është dëshmitari i mbrojtur W03879. Ky është dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë deri tani.
Dje dëshmitari i 16-të është përgjigjur në pyetjet e ZPS-së, konkretisht prokurorit Matt Halling.
Kurse, në pjesën më të madhe të kohës seanca është zhvilluar në sesion privat, raporton RTKlive.
Dje avokati i Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës ka kërkuar nga trupi gjykues që tregojë se akuza ndaj ish krerëve të UÇK-së në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.
Kurse Çarls Smith III, kryesues i Trupit Gjykues, tha se për këto çështje, avokati duhet t’i adresojë me shkrim në mënyrë që trupi gjykues të japë udhëzimet e nevojshme.
Po ashtu dje Trupi gjykues refuzoi si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së.