Policia e Kosovës, e cila është një organizatat që gëzon besimin më të madh nga qytetarët, sot shënon 24 vjetorin e themelimit të saj, shkruan Gazeta Enigma.
Me aktivitete të shumta do të shënohet kjo ditë nga Policia.
Në të gjitha stacionet policore të PK-së do të aplikohet ‘Porta e hapur’ duke filluar nga ora 10:00, ku qytetarët e interesuar mund të vizitojnë stacionet policore.
Në sheshin Ibrahim Rugova dhe në sheshin Skënderbeu do të bëhet ekspozimi i disa njësiteve dhe pajisjeve policore, duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 13:00, ku në orën 11:00 drejtori i Përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend Hoxha së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, do t’i vizitojnë njësitet policore.
Në ceremoninë zyrtare, e cila do të mbahet në “Venus”, pritet të marrin pjesë personalitete të larta vendore e ndërkombëtare, andaj ftohen mediat të marrin pjesë dhe t’i përcjellin të gjitha aktivitetet e parapara sipas agjendës së planifikuar.
Gazeta “Enigma”, ka kontaktuar me Ismet Hashanin, zëdhënësi i Policisë në Gjilan, i cili është shprehur i kënaqur me besimin që ky institucion gëzon tek qytetarët.
“Sot është 6 shtatori, Dita e themelimit të Policisë së Kosovës, po bëhen 24 vite që ne po ecim përpara dhe për këto 24 vite policia është zhvilluar mjaftë mirë, po shihet si një organizatë e strukturuar mirë, kemi një besim të madh, po shpresojmë që po çmohemi nga njerëzit. Kemi pranuar shumë urime, shumë lëvdata nga qytetarët dhe po besojmë që puna jonë e mirë po reflekton pozitivisht tek njerëzit”, ka thënë ai për Enigmën.
Ai ka potencuar se rajoni i Gjilanit është një faktor i rëndësishëm në Kosovë, për shkak të aktivitetit dhe shtrirjes së gjerë.
“Rajoni i Gjilanit i mbulon shtatë komuna, është Gjilani si kryeqendër, Vita, Kamenica, Kllokoti, Novobërda, Ranilluki dhe Parteshi. Shtrirja jonë në 7 komuna është në gjithë sektorët përfshirë trafikun, njësitet e rendit, njësitet e hetimeve rajonale, të stacioneve vec e veç. Rajoni jonë ka një rëndësi të madhe ekonomike, sepse kemi tri pika hyrëse, Dheun e bardhë, Muqibabën dhe Staniqiqin. Kjo është fal policisë së Kosovës dhe qytetarëve bashkëpunues”, tha ndër të tjera ai. / Gazeta Enigma.