Nga lagjet e fshatit Guri i Kuq në Rahovec e deri te Besiktasi, rrugëtimi fantastik i futbollistes Donjeta Halilaj

Nga lagjet e fshatit Guri i Kuq në Rahovec e deri te Besiktasi, rrugëtimi fantastik i futbollistes Donjeta Halilaj

Prej pranimit në UEFA e FIFA, futbolli kosovar ka bërë një zhvillim të hatashëm, duke bërë që ekipet kosovare të kenë paraqitje dinjitoze në garat evropiane.

Te djemtë skuadra si FC Ballkani që ka shkruar historinë duke u kualifikuar dy herë radhazi në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës, kurse te vajzat historinë e shkruajti skuadra e KFF Mitrovicës në vitin 2019 duke u kualifikuar në rundin e 32 skuadrave më të mira në Ligën e Kampionëve.

Falë zhvillimit të futbollit në Kosovë shumë futbollist e futbolliste po ia shohin hajrin duke e shfrytëzuar futbollin tonë si një trampolinë për të kaluar në skuadra të ndryshime evropiane.

E një rrugëtim fantastik i cili ka qenë jo i lehtë është për futbollisten nga Rahoveci, Donjeta Halilaj e cila iu ka bashkuar skuadrës së Besiktasit nga KFF Mitrovica.

Donjeta Halilaj në një rrëfim për Gazetën Enigma ka treguar se kur ka nisur të merret me futboll, ku e ka nisur karrierën, cili ka qenë synimi i saj që e re dhe si u bë puna që t’i bashkohet gjigantit turk, Besiktas.

Donjeta, e cila vie nga fshati Guri i Kuq i Rahovecit, hapat e parë me futboll i kishte marrë në rrugët e lagjes së bashku me djemtë e axhallarve të saj, pastaj ishte regjistruar në klubin e femrave të Malishevës.

Futbollin e kam filluar qysh në fëmijëri me djemtë e axhallarve të mijë në lagje, aty jam njoftuar për herë të parë më topin. Pas futbollit të lagjes duke e parë interesimin e madh timin për këtë sport, kam filluar me grupmoshat e djemve deri në moshën 13-vjeçare kur edhe u regjistrova në klubin e KFF Malishevës për femra në atë kohë”, rrëfen për Gaztën Enigma Donjeta Halilaj.

23-vjeçarja e cila luan si mesfushore ofansive, pasi e nisi karrierën te Malisheva pas paraqitjeve të mira e vazhdoi karrierën te KFF Dukagjini e pas Dukagjinit iu bashkua klubit të Hajvalisë, aty ku i shijoi titujt e parë në karrierën e saj profesioniste.

Pasi e nisa karrierën time si futbolliste te KFF Malisheva kalova te KFF Dukagjini, te skuadra kilnase bëra paraqitje të mira, paraqitjet e mija të mira i kishte parë skuadra e Hajvalisë që më transferoi në radhët e veta. Te Hajvalia arritëm që të shpallemi kampione në Superligën e Kosovës në futboll në kategorinë e femrave”, tregon ajo.

Pas Hajvalisë, për Donjeten ishte koha që të ndërronte ambient, t’i bashkohej KFF Mitrovicës, klub në të cilin qëndroi për pesë vite, duke fituar gjithçka, sikurse në aspektin ekipor ashtu edhe në atë indiviudal.

Pas Hajvalisë, iu bashkova skuadrës së KFF Mitrovicës, klub në të cilin qëndrova për plotë pesë vite duke fituar gjithçka në futbollin e Kosovës. Me Mitrovicën u shpalla kampione e Kosovës plotë katër herë dhe duke e fituar Kupën e Kosovës gjashtë herë radhazi”, tregon Donjeta e cila thotë se përveç titujve në futbollin kosovar, Kosovën e bën krenare edhe me paraqitjet në Ligën e Kampionëve për femra ku arritën në 32 ekipet më të mira në Evropë.

 “Përveç titullit të kampion dhe Kupës së Kosovës, ne i bëmë krenar edhe Kosovën duke luajtur në Ligën e Kampionëve, ku u përballem me skuadra si Ëolfsburg në fazën e eliminimeve duke u futur në mesin e 32 ekipeve më të forta në Evropë”.

Sezoni 2021/2022 në futbollin kosovar i takoi Donjetës, e cila u shpall futbollistja më e mirë në Kosovë për këtë vit kalendarik të futbollit. Përformancat e mira të Donjetës ranë në sy të Vëllaznisë nga Shqipëria, skuadër e cila e huazoi për dy sezone për ndeshjet e Ligës së Kampionëve.

Sezoni 2021/2022 ishte fantastik për mua, pasi u shpalla futbollistja e vitit në Kosovë. Çmim i cili më dha më shumë motivim për të vazhduar në rrugën e futbollit deri te plotësimi i ëndrrave të mia. Gjatë sezonit 2021/2022 dhe 2022/2023 kam qenë e huazuar te skuadra e Vëllaznisë së Shkodrës për disa lojëra në Ligën e Kampionëve. Huazimi ishte i thjeshtë me mirëkuptim më skuadrën e Mitrovicës, pra vetëm për lojërat në Ligën e Kampionëve” tregon ish-futbollistja e KFF Dukagjinit.

Vera e vitit 2023, padyshim që i përket Donjeta Halilajt, pasi futbollistja nga Rahoveci e kuptoi se mund ta përmbushte ëndrrën e saj që ta vazhdonte karrierën e saj në futbollin evropian duke iu bashkuar skuadrës së Besiktasit.

Vera e këtij viti ishte momenti kur e kuptova se mund të ndërroj ambient, të bëhem me një klub të ri, por kësaj radhe jashtë kufijve të Kosovës, te gjiganti turk, Besiktas.  Që nga 19 korriku i këtij viti unë jam pjesë e skuadrës së Besiktasit”, tregon ajo e emocionuar.

Futbollistja e Kombëtares së Kosovës kishte qenë nën vëzhgim nga skuatët e Besiktasit duke i bindur ata që t’i bashkohet skuadrës turke. Donjeta zbulon për Gazetën Enigma prapaskena se si u bë puna që t’i bashkohet Besiktasit.

Unë kam qenë në vëzhgim e sipër në sezonet e fundit nga skautët e klubit turk, pas përformancave të mia të mira, drejtori i klubit të Besiktasit ka ardh në Kosovë dhe jemi ulur kemi biseduar për mundësitë e transferimit në Turqi. Unë kam pasur kontratë edhe dy vite me skuadrën e KFF Mitrovicës, por skuadra mitrovicase ka pranuar që t’i bashkohem klubit turk pa asnjë kompenzim të vetëm, vetëm që unë ta realizoj ëndrrën time si futbolliste dhe për këtë gjë i falënderoj publikisht”, zbulon ajo për Gazetën Enigma e që nuk harron t’i falënderon publikisht edhe klubin e KFF Mitrovicës që ia ka hapur rrugën drejt plotësimit të ëndrrës së saj si futbolliste.

Ajo tregon se gjithmonë ka stërvitur dhe në mendjen e saj ka qenë synimi i saj i vetëm që të luaj në një ekip të madh evropian.

Gjithmonë kam stërvitur dhe kam luajtur duke ëndërruar për të luajtur në një ekip të madh evropian. Normalisht, synimet e mia nuk përfundojnë këtu me skuadrën e Besiktasit, pasi ende jam e re dhe dua që me punë dhe me përkushtim maksimal t’i mbërrij majat e futbollit evropian”, tregon ajo.

Donjeta e ka nisur mirë sezonin te Besiktasi duke e fituar besimin e trajnerit, e cila ka luajtur standard që nga minuta e parë në tri xhirot e para të këtij kampionati.

23 – vjeçarja nga Rahoveci tregon dallimin e futbollit të Ligës së Turqisë dhe atij të Kosovës.

“Dallimi është i madh, sepse këtu në Turqi liga është e fortë, konkurruese dhe secila ekip është më e fortë se tjetra, pra konkurrenca e bën ligen e fortë”, zbulon ajo për Enigmën.

Krejt në fund, Donjeta ka një mesazh për vajzat e reja që dëshirojnë të merren me futboll.

“Vajza, kurrë mos u ndalni, përkushtonu 100 % në futboll, disiplinë, punë dhe asgjë tjetër, suksesi do të vie”.

Donjeta Halilaj i mbron ngjyrat e Kombëtares së Kosovës që nga viti 2018-të duke qenë si njëra prej lojtarëve kryesore te “Dardanet”, shpesh-herë duke e bartur edhe shirtin e kapitenit.

 /GAZETA ENIGMA/

Related Articles