Të hënën e 18 shtatorit janë publikuar pamjet e një trevjeçari, i cili sipas familjarëve është rrahur nga edukatoret e çerdhes shtetërore “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Të nderuar media dhe prindër! Dua të ndaj me ju diçka të tmerrshme që sapo ka ndodhur në Fushë Kosovë, në çerdhen shtetërore të fëmijëve “Gëzimi Ynë”, është rrahur brutalisht nipi im Lisi, vetëm 3 -vjeç. Shikoni kamerat ku shihet qartë që po rrihet e tërhiqet zvarrë, me pas e dërgojnë në një dhomë pa kamera dhe e rrahin pa mëshirë të tri mësueset!”, shkroi ai.
Qytetari F.G përmes këtij njoftimi ka kërkuar të intervenohet nga Policia e Kosovës lidhur me rastin.
Vendimi i fundit nga Gjykata për dy edukatoret të dyshuara për dhunën ndaj 3-vjeçarit
“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave; N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe N. H, femër, 56 vjeç, shtetase Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.
Psikologu: Publikimi i rasteve të tilla ndikon tek të gjithë prindërit që dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe
Psikologu Rron Kastrati, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se ky rast meriton një analizë të detajuar institucionale.
“Unë theksoj në cilësinë e psikologut se ky rast por edhe të gjitha rastet tjera ku dhuna e ushtruar ndaj fëmijëve, të miturve me keqdashje ose nga pakujdesia e edukatorëve ose stafit tjetër që janë të përfshirë në çerdhet e tilla, meritojnë një analizë të detajuar institucionale, sepse institucionet përkatëse të cilët monitorojnë çerdhet private apo publike kanë për detyrë të realizojnë vlerësime profesionale për edukatorët të cilët janë të kualifikuar dhe çfarë përgjegjësish dhe shërbimesh ofrojnë, çfarë kujdesi kanë ndaj të miturve, fëmijëve që janë në çerdhe dhe sikundër dhuna e ushtruar ndaj këtij fëmiu duket qartë se mund t’i sjelli më vonë pasoja të një stresi traumatik”, tha Kastrati për “Enigmën”.
Sipas tij publikimi i rasteve të tilla ndikon në perceptimin publik dhe tek të gjithë prindërit që dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe.
“Kjo ka shpërfaqur në botën mediatike në Kosovë një lajm të hidhur dhe sigurisht që ky lajm ndikon ekskluzivisht në perceptimin publik edhe të atyre prindërve tjerë që i dërgojnë fëmijët në çerdhe vetëm me iden dhe sigurinë se aty fëmiju është në kujdesin primar të edukatorëve dhe gjithçka po ecën rrjedhshëm”, ka theksuar ai.
Tutje Kastrati ka shtuar se “meqenëse ky rast tashmë doli në publik nga pamjet e regjistruar në këtë çerdhe, atëherë kjo duhet të miret parasysh nga organet kompetente dhe kjo edukatore apo secila edukatore tjetër që ka ushtruar një dhunë të tillë, mund të intervistohet dhe mund të procedohet rasti në instanca tjera ligjore”.
Çfarë duhet të bëjnë këto institucione që të eliminohen këto raste?
“Sigurisht, institucionet duhet të krijojnë një komision përkatës që realizojnë vlerësime të tilla të detajuara në çerdhet private apo publike”, tha psikologu.
Sipas tij kjo çështje është shumë serioze dhe të sigurojmë raportime konkrete në të gjitha çerdhet në vend.
“Po e ngre si çështje shumë serioze, po në ato çerdhe ku ne nuk kemi të informuar dhe nuk kemi raportime konkrete se si po ecën puna atje, çfarë kujdesi ofrohen edukatoret tjera, a mund të shfaqen këto fenomene apo dukurive të tilla dhunuese ndaj fëmijëve, ne pamë në pamje të regjistruar se fëmijët qante, përjetonte…joreati, sikletosje, çarje dhe kjo rrjedh si pasojë e keqmenagjiimit të asaj çerdhe, menaxhmentit dhe edukatorës që nuk e kishte as më të voglin kujdes ndaj këtij fëmijë, përveç se ushtronte një dhunë, një kapje të fëmijët nga një cep në cepin tjetër dhe ndërkohë fëmiju vendosej, kushtëzueshëm dukej me një dhunë në mesin e fëmijëve tjerë në tavolinë”.
Deklarohet nëna e trevjeçarit që dyshohet se u rrah në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë
“Mësuesja Fitore më tha hajde këtu se djali yt e ka ba namin. Më erdhi shumë keq sepse mendova që e ka rrëzua dikon ose ka thye ndonjë gjë. I thashë ju kërkojë falje, por tha jo ka dal e ka shkarravitë. Unë i thash se do t’ia blejmë mësues një çokollatë edhe me i thënë më fal nesër, jam lazdrua, dhe i thashë duhet me i përmbushë dënimet nëse t’i ka dhënë mësuesja, por ky kishte marrë dënime brutale”, tha ajo për T7.
Tutje ajo ka treguar se si djali i ka treguar se gjatë qëndrimit në kopsht nuk ka ngrënë e as nuk ka pirë për 8 orë rresht.
“Më ka thënë djali nuk kam hëngër bukë, nuk kam pi ujë që 8 orë. Fëmija im pa hëngër pa pi. Ka pi ujë i kam përgatitur ushqimin në shtëpi. I thash le se të jep mami në shtëpi bukë. Jam detyrua mu ndal i ka hëngër dy hamburger dhe një shishe ujë. I thirra familjarët dhe u thashë qashtu po më thotë djali por nuk jam e sigurt”, ka thënë ajo.
Ky fëmijë sipas prindit në këtë kopsht është duke shkuar që nga 1 shtatori.
“Edhe djali im hezitonte të shkoj në çerdhe qe dy javë”
Një qytetare nga Fushë Kosova e cila është shokuar nga rasti përmes një postimi në Facebook ka thënë se edhe djali i saj prej disa javësh nuk donte të shkonte në kopsht.
“Para disa dite djali më tha që mësuesja po i rrah po unë si prind nuk i besova. Priami në njëfarë forme si duket se është munduar me atë fjali të tregoj që në kopshtin e tij ushtrohet dhunë”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, shqetësimin e kishte paraqitur edhe tek mësueset. Por, të njëjtat kishin thënë se arsyeja është ndërrimi i mësueseve, andaj fëmija mund të mos ndihej rehat.
“Sa herë kam shkuar ta marr fëmiun në kopsht vazhdimisht ju kam thënë mësueseve si është e mundur që djali im është qe 1 vit në kopsht dhe po heziton këtë vit të vijë kaq shume”, ka shkruar ajo në Facebook.
Denoncohet edhe një tjetër rast në çerdhen ku u ushtrua dhunë ndaj trevjeçarit
Mimoza Gjurkaj e cila deri në vitin e kaluar kishte një fëmijë në kopshtin publik në Fushë Kosovë, aty edhe ku po dyshohet se është ushtruar dhunë ndaj një trevjeçari, ka pohuar se edhe fëmija i saj ka përjetuar pothuajse rastin e njëjtë në këtë kopsht.
Gjurkaj e cila sot ka ardhur vetëm për të dëshmuar se rastet e tilla janë të shpeshta në këtë çerdhe, tha se fëmija i saj gjatë kohës sa ka qenë në atë çerdhe, ka pas vazhdimisht telashe. Madje, shton se të njëjtin edhe kanë dashur të përjashtojnë, pasi ka qenë fëmijë me hiperaktivitet, porse e njëjta është ankuar në Ministrinë e Arsimit.
“Nuk e di për dhunim, mirëpo çdoherë është lëndu ndonjë fëmijë ose diçka, fajin ja kanë lënë djalit tim. Kam pas telashe tri vjet këtu në këtë kopsht. Nuk kam qenë brenda, por djalin kanë dashur të përjashtojnë, derisa jam detyruar të intervenojë në Ministri të Arsimit, duke u shtyrë me një fëmijë pesëvjeçar që është me hiperaktivitet. E ka kry tash djali. Por, kam ardhë sot të tregoj se edhe djali im ka pas këso telashe. Nuk e kam raportuar rastin veç kam intervenuar në Ministri Arsimit, kjo ka ndodhë para se të përfundojë kopshtin”, tha ajo.
Gjurkaj po ashtu tha se me këso raste është ballafaquar edhe një shoqe e saj, e cila është detyruar të heq fëmijën nga kopshti.
“Shoqja e ka heq vajzën prej kopshti për këto qëllime, ne po i sjellim t’i edukojmë e jo t’i rrahin. Ne i kemi lind, bëjmë çfarë të duam me dashtë. Dhuna nuk është zgjidhje”, tha ajo
Nagavci paralajmëron masa ndaj këtij institucioni: Kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku shihet duke u rrahur brutalisht një trevjeçar në çerdhen shtetërore “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë.
Nagavci tha se e dënon ashpër dhunën në këtë institucion parashkollor, teksa kërkoi dënimin e merituar ndaj personave që kanë ushtruar dhunë.
“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar. Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar”, ka shkruar Nagavci.
Policia: Po analizohen raportet mjekësore dhe pamjet
Policia ka dhënë detaje rreth rastit të dyshimit për keqtrajtim të një fëmije trevjeçar në çerdhen shtetërore në Fushë Kosovë.
Nga autoritetet e rendit bën të ditur se kanë filluar hetim preliminar për çështjen në fjalë, duke shtuar se po shqyrtohet raportet mjekësore dhe pamjet e publikuara.
“Ndonëse e kuptojmë interesin e publikut për çështjen, si dhe shqetësimin e komunitetit e veçmas prindërve dhe kujdestarëve, ne duhet të jemi të vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë me nevojën për të mbrojtur integritetin e hetimit”, deklarojnë nga policia.
“Për ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit”, thuhet në njoftim.
Policia tutje ka deklaruar se janë në koordinim me prokurorin e shtetit dhe po punojnë me agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse.
Berisha: Tri edukatoret që dyshohet se ushtruan dhunë ndaj trevjeçarit po intervistohen nga policia
Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha.
Ai në një deklaratë për media ka thënë se rasti është publikuar përmes rrjeteve sociale dhe se ai ka qenë në çerdhe bashkë me policinë e Kosovës, drejtoreshën dhe Inspektoratin e Arsimit.
“Për një situatë e cila e ka publikuar përmes rrjeteve sociale që është bë publike dje nga një familjar sipas pretendimeve se një fëmijë është përdorë dhunë ndaj tij. Unë kam qenë me policinë e Kosovës këtu, bashkë me drejtoreshën, Inspektoratin e Arsimit dhe në vazhdim do të jemi në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet të cilat mirën me këtë çështje”, tha ai.
“Policia e Kosovës e ka bë ftesën në drejtim të edukatoreve të cilat pretendohet se janë të përfshira në rast dhe në këto momente janë në stacionin e policisë duke u intervistuar”, tha ai.
Paralajmërohet pezullimi nga puna i tri edukatoreve
Berisha gjithashtu ka bërë të ditur se edukatoret e dyshuara për rastin ende nuk janë pezulluar nga puna, por ka thënë se do të pezullohen pasi do të respektohet ligji.
“Ligji e përcakton këtë. Nuk i kemi pezulluar në këto momente, por do të pezullohen. Janë duke u intervistuar në këto momente. Patjetër, ne do t’i respektojmë ligjet e Republikës së Kosovës, pikë”, tha Berisha. /GAZETA ENIGMA/