Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, njofton se nga sot e tutje do t’i ndërlidhin me rrugë të reja e të asfaltuara, të gjitha fshatrat e brezit kufitar Kosovë – Shqipëri.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai shton se sapo nënshkruan protokollin për zbatimin e marrëveshjes për ndërtimin e Rrugëve të Fshatrave ndërkufitarë që ndërlidhin fshatrat ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje përveç se do të ndërlidhemi më afër me njëri tjetrin ekonomikisht, bashkërisht do të kontribuojmë në vlerësimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri-Kosovë”.
“Zona e përbashkët në mes të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, e cila do të mbulohet me këtë program zhvillimi, është e përbërë nga Bashkia e Hasit dhe Kukësit në Republikën e Shqipërisë, si dhe Komunat e Prizrenit dhe Dragashit në Republikën e Kosovës”, sqaroi tutje ministri Aliu në postimin e tij.