Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është bërë paraqitja e parë e Isni Kilajt.
Gjatë paraqitjes së parë të Isni Kilajt në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit Matt Halling tha se ndalimi i të dyshuarit është i domosdoshmëm
Prokurori Halling tha se Kilaj mund të dënohet deri në 5 vite dhe ka arsyeje që t’i ikë juridiksionit.
“Ndalimi i Z.Kilaj është i domosdoshëm. Në këtë rast vlejnë tri rreziqet e parashikuara në nen sikurse thuhet me hollësi në parashtrimin tonë; ai ka rrezik ikje, perballet me vepra që mund të dënojnë deri në 5 vite, ka arsyeje që të iki nga juridiksioni përfshirë në vendet e treta ku mund të mos pranohet ekstradimi i tij”, tha prokurori.
Prokurori Halling tha se materialet që janë gjetur e tregojnë rrezikun se Kilaj mund të shkatërroj, fshehë apo ndryshoj provat e një krimi si dhe mund të pengojë ecurinë e procesit duke ndikuar tek dëshmitarët.
“Natyra e materialeve të gjetura tregon gjithashtu që ekziston rreziku që z.Kilaj të shkatërroj, fshehë, ndryshojë apo të falsifikoj provat e një krimi apo se do të pengoj ecurinë e procesit duke ndikuar tek dëshmitarët, viktimat apo bashkëpunëtorët e tyre. Në fakt, materialet e gjetura sugjerojnë që z.Kilaj është marrë pikërisht me këtë lloj sjellje dhe fushëveprimi i materialeve të sekuestruara tregojnë një lloj modeli i sjelljes penguese dhe ekziston kështu rreziku se do t’i përsërisë këto lloj veprash pa u ndaluar”, tha Halling.
Halling tha se në rastet që trajtohen në këtë gjykatë, zhvillohet një klime e frikësimit të dëshmitarëve duke përmendur edhe shpalljen fajtor të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
“Në fund, rastet që trajtohen në këtë gjykatë zhvillohen në një klime të qartë të frikësimit të dëshmitarëve. Se kjo klimë ekziston, tregohet ndër të tjera tek shpallja e Gucatit dhe Haradinajt dhe konstatimi juaj lidhur me çdo cështje të paraqitur përpara trupit gjykues”, tha prokurori.
Tutje, në parashtrimet e veta, Halling tha se mbajta e këtyre materialeve nga Kilaj tregon mungesën e vetëdijshme për respektimin e urdhëresave të gjykatës, për çka sipas ZPS-së, i dyshuari duhet të mbahet i ndaluar.
“Mbajtja e materialeve të tilla tregon një mungesë të vetëdijshëm për respektimin e urdhrave të gjykatës dhe nuk ka asnjë masë tjetër që mund të zbus këtë lloj rreziqe për arsye siç edhe e kemi parashtruar në parashtrimin tonë që Z.Kilaj duhet të mbahet i ndaluar”, tha prokurori Halling.
ZPS thotë se banesën e Isni Kilajt u gjetën material konfidencial që lidhen me dëshmitarët
Gjatë parashtrimeve të veta, Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit Matt Halling tha se në shtëpinë e Isni Kilajt janë gjetur materiale konfidenciale lidhur me dëshmitarët.
“Gjatë kontrollit të banesës së z. Kilajt që u bë me 2 nentor 2023, ZPS-ja evidentoj dhe gjeti materiale që lidhen me dëshmitar dhe janë materiale konfidenciale. Këto materiale lidhen drejtpërdrejtë me procese gjyqësore të DhSK-së. Ishte informacion konfidencial të cilin z.Kilaj ligjërisht nuk duhej ta mbante, nuk kishte autorizim për të pasur një informacion të tillë. Duke pasur informacion të tillë do të thotë që shkelje e procedurës penale dhe kjo është një arsye e bazuar për ne që të kuptojmë që ky material do të përdorej për të ndërhyrë në procesin e drejtësisë dhe ndikimin e procesit gjyqësor”, tha prokurori Matt Halling.
Prokurori Halling tha se provat tregojnë se Kilaj është përgjegjës penalisht për disa vepra.
“Provat tregojnë që Z.Kilaj është përgjegjës penalisht për të kryer qoftë vetëm apo bashkë me të tjerët në vepra penale ku përfshihen; pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare sipas nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës viti 2019 dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës në bazë të nenit 392 të Kodit Penal i kombinuar me nenin 15/2 dhe 16/2 të Dhomave të Specializuara”, tha Halling.
Në fillim të seancës, gjykatësi i vetëm Nicolas Guillou pyeti Isni Kilajn e pyeti atë nëse janë respektuar të gjitha të drejtat e tij në rast të arrestimit, gjë të cilën e pohoi i dyshuari.
Ndërsa, gjyqtari njoftoi se avokat kujdestar për Isni Kilajn është avokati Ian Edwards.
Gjyqtari Guillou tha se seanca e sotme ndaj Isni Kilajt nuk është gjyqësore e po ashtu për atë nuk është dorëzuar ende aktakuza që të prezantohen prova konkrete.
Isni Kilaj është arrestuar të premten nga Zyra e Prokurorit të Specializuar si dhe në të njëjtën ditë është transferuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.
Isni Kilaj dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.