Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është duke zhvilluar një mori punimesh në disa rrugë nacionale, tashmë disa kohë.
Zëvendësministri i këtij dikasteri, Hysen Durmishi, në një intervistë për Indeksonline-n, ka folur për tri projekte të rëndësishme infrastrukturore.
Rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Gjilan, janë tri projekte, përfundimi i së cilave është premtuar nga Qeveria Kurti.
Durmishi ka thënë se të tri këto rrugë janë në faza të ndryshme dhe se është i kënaqur me vijueshmërinë e punimeve.
Për rrugën Prishtinë-Podujevë, Durmishi thotë se është projekt me të cilin qytetarët duhet të matin dhe vlerësojnë punën e Qeverisë, meqë është projekt i kësaj Qeverie dhe jo projekt i trashëguar.
“Projekti në të cilin ka dinamikë më së shumti në zhvillimin e punimeve është ky projekt. Jemi kujdesur t’i përfundojmë të gjitha procedurat e tjera që të mos kemi zvarritje të realizimit të projekteve të tjera. Punimet po ecin me dinamikë shumë të shtuar dhe jam i bindur që gjatë vitit të ardhshëm do të përfundojë komplet ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë”, ka thënë Durmishi.
Nga ana tjetër, Durmishi flet edhe për autostradën Prishtinë-Gjilan, e cila është në disa faza në të tetë lotët.
Durmishi thekson probleme me rrëshqitjen e dheut në disa zona dhe riformatimin e disa kontratave.
“Në fillimin e vitit të ardhshëm do të përfundojë autostrada Prishtinë-Gjilan deri në Breslac. Gjithashtu, kemi ndarë buxhetin që menjëherë në fillim të vitit të ndërtojë edhe pjesën tjetër, nga Bresalci deri në kufi te Dheu i Bardhë”, deklaroi zëvendësministri i MMPHI-së.
Sa i përket ndërtimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë, Durmishi thotë se është shkëputur kontrata paraprake dhe vijueshmëria e këtij projekti është rregulluar nëpërmjet kredisë.
“Ne kemi nënshkruar kontratën me kompaninë mbikëqyrëse ndërkombëtare dhe nesër është dita kur kompanitë kanë afatin e fundit t’i dorëzojnë ofertat. Shumë shpejt do të përzgjedhet fituesi dhe në momentin kur ta kemi kontratën e re, afati për kryerjen e punimeve është një vit. Besojmë që në fund të vitit të ardhshëm, të jetë e përfunduar edhe rruga Prishtinë-Mitrovicë”, shtoi Durmishi.